Itali- Një luftë mes bandave shqiptare me natyrë mafioze, për kontrollin e trafikut të drogës në zonën e Frosinones.
Ky dyshohet se është shkaku i asaj beteje të armatosur me 1 të vrarë dhe 3 të plagosur, e ndodhur në “Shake Bar” në Frosinone, mbrëmjen e së shtunës së 9 marsit 2024.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Kasen Kasmi dhe vëllai i tij Ervin Kasmi u plagos rëndë, sikurse dy vëllezër të tjerë, Klevi dhe Alvider Hidraliu, të gjithë me kombësi shqiptare.
Në muajin mars të këtij viti drejtësia italiane shpalli fajtor dhe dënoi përfundimisht me 20 vite burgim si një nga autorët e krimit shqiptarin Mikea Zaka. Kurse tani hetimet tregojnë se ka qenë një luftë për territor mes vetë mafias shqiptare që operon në Itali.
Kjo shpjegohet në arsyet e dënimit me njëzet vjet burg për të pandehurin. Vendimi i gjykatës është zbardhur së fundmi nga gjyqtari Antonello Bracaglia Morante dhe u publikua nga mediat italiane.
Në arsyetim, gjyqtari rindërton hetimet dhe çmonton historinë e një krimi jo të lindur nga xhelozia, siç pretendohet në deklaratat e para të dhëna në spital nga viktimat e të shtënave, por nga hesapet e prishjes së pazareve të drogës dhe paratë.
Tregon se të shtënat ndodhën brenda një larjeje hesapesh për kontrollin e tregut të drogës në kryeqytet, me katër viktimat e punësuara dhe të dërguara në Shake Bar për të sulmuar të pandehurin. Megjithatë, ai e priste atë pritë dhe pikërisht për këtë arsye mbante armë.
Gjykatësi në vendim e përjashton mundësinë që të shtënat të jenë kryer në vetëmbrojtje dhe e cilëson vrasjen si një akt të planifikuar. Ai gjithashtu ngre alarmin për infiltrimin e krimit shqiptar në Frosinone. Në burg, i pandehuri u kap ndërsa po telefononte në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje edhe për familjen e tij, pasi i trembej hakmarrjes.
Në llogaritjen e dënimit, në fund të 72 faqeve të motivimit, shpjegohet se dënimi maksimal i mundshëm për vrasje dhe tentativë vrasjeje ishte 30 vjet burg, i reduktuar në 20 falë zbritjes së parashikuar nga procedura e shkurtuar.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 9 marsit 2024, rreth orës 19:30, në qendër të Frosinones në Itali. Mikea Zaka ishte në 'Shake Bar', në rrugën 'Aldo Moro' me miqtë e tij, të gjithë shqiptarë. Zaka rezulton një emër i njohur për policinë, ndërsa vitin e kaluar ishte ndaluar dy herë për drogë. Në lokal kanë shkuar edhe viktima me vëllain dhe dy miqtë e tij e në përleshje e sipër ka ndodhur përleshja e armatosur, me pasojën tragjike.
Komente
