Itali- Përleshja mes shqiptarëve zbulon arsenalin e armatimit dhe ngre dyshimet për një organizatë të mundshme kriminale.
Karabinierët e Appiano Gentile gjatë aksionit dhe hetimeve kanë zbuluar në kontroll e sipër edhe një arsenal të vogël armësh, teksa arrestuan një 36-vjeçari shqiptar, Oltion Brahimaj, banor i Lomazzos, por me vendbanim në Rovellasca.
Oficerët ndërhynë në Via Cavour, ku i ndaluari ishte grindur me një 28-vjeçar shqiptar, gjithashtu nga Rovellasca, me të cilin mesa duket kishte sherr të vjetër.
Gjatë grindjes, i dëmtuari 28-vjeçar filmoi Brahimajn në celular, i cili reagoi duke e goditur në fytyrë me qytën e një pistolete, duke e plagosur, përpara se ta kërcënonte se do ta vriste dhe të largohej.
Pak çaste më vonë, patrulla e karabinierëve mbërriti, duke e ndjekur të dyshuarin dhe kontrolluar për armën që shfaqej në filmim. Brahimaj fillimisht mohoi se kishte përdorur armën për të sulmuar bashkëkombësin e tij, duke këmbëngulur se ishte thjesht një copë metali.
Por më pas, i përballur me pamjet filmike të bëra nga vetë viktima, e pranoi dhe i shoqëroi karabinierët në një garazh në Bregnano, ku punonte dhe mbante armën. Por brenda, karabinierët gjetën diçka krejtësisht tjetër.
Një pistoletë ‘Pietro Beretta’, modeli Gardone, 9 mm, me numër serial të fshirë dhe dy karikatorë, një pistoletë “Colt King Cobra”, po me numër serial të fshirë, një silenciator të Beretta; 212 fishekë; të kalibrit 38 të llojeve të ndryshme; shtatë fishekë të kalibrit 9 mm dhe një fishek të kalibrit 9x21.
U sekuestruan edhe doreza të bardha prej pëlhure, që dyshohet se përdoreshin për të mos lënë gjurmë gjatë sulmeve, informon media italiane. Shqiptari është arrestuar dhe mbahet në izolim, në pritje të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Komente
