Padova- Një 34-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim prej një viti e gjysmë për grabitjen dhe plagosjen e një të moshuari në Padova, është arrestuar tre ditë më parë nga policia në Itali.
Aksioni u krye në zonën e Caserta, teksa efektivët ekzekutuan një urdhër me paraburgim të lëshuar nga Gjykata e Rovigos, me kërkesë të Prokurorisë Publike. Ngjarja kishte ndodhur më 11 Korrik të vitit të kaluar, ku u sulmua një pensionist vendas.
Hetimet nisën menjëherë pas denoncimit, për agresionin e ndodhur brenda një shtëpie në Montagnana, kur i moshuari u befasua në gjumë nga dy persona që e kërcënuan me kaçavidë dhe e kanë goditur vazhdimisht me kabllo elektrike.
Ata arritën të grabisnin rreth 14 mijë euro në cash që mbaheshin në shtëpi nga i moshuari, i cili pësoi lëndime në pjesë të ndryshme të trupit. Pas analizës së fakteve dhe gjurmëve, u gjetën prova për 34-vjeçarin e dyshuar, që iu dërguan Prokurorisë dhe më pas Gjykatës.
Në veçanti, vendimtar ka qenë zbulimi i një xhakete reflektuese të humbur nga një prej grabitësve dhe e gjetur nga Karabinierët gjatë kontrollit nën njërën prej dritareve të shtëpisë së viktimës, mbi të cilën analizat e mëvonshme tekniko-shkencore zbuluan një profil gjenetik i të dyshuarit që ka marrë masën shtrënguese, raporton "TG Padova".
Shqiptari, emri i të cilit nuk u publikua, ishte në arrati që prej ditës së krimit. Ai u izolua në burgun Santa Maria Capua Vetere, teksa vijojnë kërkimet për bashkëpunëtorin e tij.