Fano- Një efektiv i Policisë Rrugore të Pesaros u kap në flagrancë nga kolegët e tij teksa po blinte një dozë kokaine nga shpërndarësi shqiptar, që gjithashtu përfundoi në qeli.
Nga verifikimi rezultoi se polici nuk po vepronte si agjent i fshehtë, por si një përdorues që kishte nëvojë për lëndë narkotike. Ishin karabinierët e patrullës në Fano që e pikasën efektivin, duke e kapur në flagrancë.
Aksioni u krye në zonën bregdetare midis Arzillës dhe Lidos, ku në fakt karabinierët ndodheshin në ndjekje të dy shpërndarësve të dyshuar, 20 dhe 23 vjeç, tashmë të arrestuar të dy. Por gjatë ndjekjes ata zbuluan edhe policin rrugor, që bleu sasinë me peshë 2-3 gramë kokainë.
Ndaj oficerit tani ka nisur edhe procedimi disiplinor, por do hetohet gjithashtu edhe nëse ai është më shumë se përdorues.
Oficerit tashmë i është marrë arma e shërbimit dhe ndodhet nën procedim administrativ, pasi u lirua pak orë pas ndalimit, informon media italiane.
Dy shitësit shqiptarë pranuan fajësinë dhe të ndihmuar nga avokati i tyre, morën një dënim me gjykim të përshpejtuar me një vit e dy muaj burgim, i kthyer në dënim me kusht, që i çoi drejt lirisë.
Komente
