Brescia- Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali nga policia, teksa u kap me rreth 12 kg kokainë të pastër të fshehur në pjesën e parakolpit të mjetit të tij, në Brescia.
I riu i identifikuar si Zyber Tafa, ishte mbajtur prej kohësh nën monitorim, pasi disponoheshin informacione për aktivitet të dyshimtë në zonën e Bolonjës, si pjesë e një organizate të dedikuar për trafikun ndërkombëtar të drogës. Vlera e drogës kap shifrën e mbi 1,2 mln eurove nëse shitet me pakicë.
Ka qenë një postbllok gjoja i rastësishëm i ngritur në rrugë, që çoi në pranga korrierin shqiptar. Agjentët e Guardia di Financa e befasuan të riun Zyber Tafa, me banim në Minturno, në provincën Latina, por banues në qytetin e Breshias.
Media e vendit fqinj raporton se Tafa është i skeduar edhe për aktivitet të dyshuar në organizatë kriminale në Shqipëri.
Operacioni u krye një ditë më parë në afërsi të restorantit “La Rotonda”, në “Via Fornaci”. Shqiptari po udhëtonte me një kamionçinë “Ford Focus”, parakolpi i të cilit ishte çmontuar dhe më pas restauruar për të fshehur drogën, e paketuar në dy mbështjellës celofani, me një total 11,8 kg lëndë narkotike.
24-vjeçarit iu sekuestruan 6 celularë, tre në makinë dhe po kaq në shtëpinë e tij në Brescia, si dhe rreth një mijë euro para cash. Në banesë, e fshehur në një çarje në tavan, u gjet edhe një fletë letre me kontaktet dhe llogaritë e pretenduara, shkruan "QuiBrescia".
I riu Tafa u arrestua dhe u dërgua në burg në Brescia, duke pritur që Prokuroria e Bolonjës ta marrë përsipër çështjen.