Umbria- Karabinierët e stacionit lokal në rajonin e Bastia, në Perugia, arrestuan në flagrancë shqiptar 21-vjeçar për trafik droge, së bashku me të fejuarën e tij 19-vjeçare, që dyshohet se e përdorte për mbulim dhe që të mos binte në sy.
Çifti akuzohet për prodhim, mbajtje dhe shitje narkotikësh, sipas Kodit Penal italian. Lajmi u publikua sot (11 Shtator) nga mediat e vendit fqinj, që iu referuan informacioneve zyrtare.
Karabinierët pikasën të riun teksa iu afrua një furgoni të parkuar dhe dorëzoi një pako të vogël. Gjatë ndërhyrjes u sekuestrua sasia e kokainës dhe 140 euro cash.
Jo shumë larg, ndaluan edhe partneren e 21-vjeçarit, së cilës iu gjet një dozë tjetër kokaine, të cilën ajo kishte tentuar ta hidhte në momentin e mbërritjes së policisë. Të dy me origjinë shqiptare, u dërguan në kazermë për kontrolle të mëtejshme.
Shqiptari theksohet se është person me precedentë penalë, ndërsa vajza, e pahetuar më parë, u la nga autoritetet për hetim në gjendje të lirë.
Gjykata e Perugia njoftohet se ka dhënë masën “arrest me burg” për 21-vjeçarin, që pranoi veprën penale të prokurorëve, që parashikon dhe dënim me tetë muaj burg.
Vetëm një muaj më parë, mbi një kilogram kokainë u sekuestrua në Bastia nga policia, e cila pasi konstatoi një automjet të dyshimtë, vendosi të kryejë një kontroll më të thelluar. Për ngjarjen u arrestua një tjetër shqiptar 18-vjeçar, që iu gjetën në banesë edhe peshore dhe sende materiale, përveç sasisë prej 1 kg kokainë.