Foto nga shtëpia e shkatërruar

Bota

Itali/ Policia do zbatonte një urdhër dëbimi, shpërthim me gaz në një shtëpi në Verona! 3 oficerë vdesin, 15 plagosen! Arrestohen dy vëllezër dhe motra e tyre

14 Tetor, 07:11| Përditesimi: 14 Tetor, 11:33

  • Share

Tre oficerë u vranë dhe 15 të tjerë dhe ushtarë u plagosën nga një shpërthim në një shtëpi në Castel D'Azzano, në provincën e Veronës. Sipas mediave italiane, policia po ushtronte një kontroll në shtëpinë ku ndodheshin dy vëllezërit Franco dhe Dino Ramponi, 65 dhe 63-vjeç dhe motra e tyre 59-vjeçare Maria Luisa, kur ndodhi shpërthimi. E gjithë ndërtesa dykatëshe u shemb, duke zënë oficerët që ndodheshin aty. 

Shkak i shpërthimit, që ndodhi sapo u hap dera, dyshohet të ketë qenë gazi. Në banesë u gjetën 5 bombola gazi të vendosura në disa dhoma dhe mbetje të koktejleve molotov. Sipas raportimeve, policia do të ushtronte një urdhër dëbimi. Më herët, përpjekjet e efektivëve për të zbatuar urdhrin kishin qenë të pasuksesshme për shkak të kërcënimeve të tre familjarëve se do të hidhnin veten në erë. 

Gruaja dyshohet se ka shkaktuar shpërthimin, sipas mediave. Ajo dhe njëri nga vëllezërit pësuan djegie dhe janë vënë në pranga në spital ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa tjetri u kap disa orë më vonë pasi arriti të largohej.  Të tre, fermerë dhe blektorë, kishin probleme financiare dhe me hipotekën. Në tetor dhe nëntor të vitit 2024, ata i bënë rezistencë përmbaruesve duke hapur një bombol gazi. Asokohe edhe njëri nga tre vëllezërit gjithashtu ishte lyer me benzinë dhe kishte kërcënuar se do digjte veten. 

Ata pretendonin se ishin mashtruar dhe se vendimi i gjykatës për t'i dëbuar ishte e gabuar. Çështja e tyre buron nga një kredi që dyshohet se kishin marrë në vitin 2014, duke i lënë hipotekë arat dhe shtëpinë e tyre. Megjithatë, të tre pohonin se nuk i kishin nënshkruar kurrë dokumentet e kredisë dhe se nënshkrimet në fakt ishin falsifikuar. Procesi ligjor, megjithatë, kulmoi në fund me një vendim për të ekzekutuar shpronësimin.

Kryeprokurori i Veronës, Raffaele Tito, tha se të tre akuzohen për vrasje me paramendim. 

"Kisha urdhëruar kërkimin për kokteje Molotov sepse kishim foto që tregonin këto kokteje Molotov në çati. Vetëm pak ditë më parë, në fund të shtatorit, të tre kishin kërcënuar personin gjyqësor që ishte caktuar për të shitur pronën nga gjyqtari civil dhe njëri prej tyre tha se do të hidhte veten në erë. Kjo është arsyeja pse kontrolli i shtëpisë u autorizua", deklaroi Tito.

Antonello Panuccio, nënkryetar i bashkisë së Castel d'Azzano, tha se ata ruanin bombolat për një kohë për t'i shpërthyer. 

"Tre vëllezër jetonin në shtëpinë në fshat. Duket se kishin ruajtur bombola gazi për njëfarë kohe dhe kishin mbushur papafingon për t'i shpërthyer. E gjitha ndodhi mbrëmë rreth orës 3:15 të mëngjesit", tha Antonello Panuccio. 

"Ishte një operacion i përbashkët policor. Kur hynë në apartament, dëshmitarët raportuan se kishin nuhatur gaz dhe pak çaste më vonë pati një shpërthim", tha Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi.

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

"Ngushëllimet e mia dhe të Qeverisë shkojnë për familjet e viktimave. Një mendim për ata që i shërbejnë Italisë", shkroi Meloni në X.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?