Itali- Mbërriti në Itali dy javë më parë dhe është arrestuar dy herë brenda kësaj periudhe për shpërndarje droge.
Kjo është historia e një 27-vjeçari shqiptar, që u kap nga karabinierët në lagjen Garbatella të Romës, teksa priste të merrte detyrat e ditës dhe porositë e shpërndarjes së mallit para parkingut të një supermarketi
Shpërndarja e drogës bëhej me porosi dhe doat dërgoheshin në banesë.
Arrestimi i tij u bë ndërsa ishte në prani të një klienti, në “Via Nemea”. Shqiptari drejtonte një “Citroen” të marrë me qira. Policia i kapi në flagrancë dy pako hashash me vlerë 100 euro të paguara nga klienti.
Shqiptari u shfaq nervoz gjatë aksionit, teksa tentoi të ndërronte marshin e makinës dhe të arratisej. Paniku te kalimtarët ka qenë i madh, pasi manovra e rrezikshme u krye pranë një shkolle të zonës dhe mund të kishte pasur bilanc tragjik.
Kjo aventurë ka zgjatur edhe më tej, teksa me gomë të çarë ai kaloi mbi trotuar për të shmangur një postbllok policie. Përpjekja e tij e fundit ishte largimi në këmbë dhe fshehja në tarracën e një ndërtese aty pranë. Por ky ishte fundi i aventurës, informon media italiane.
Pas arrestimit, në xhep i janë gjendur dy kartëmonedhat e shkëmbyera pak më parë për drogën, si dhe 125 euro të tjera, që mendohet se janë të ardhurat e supozuara të veprimtarisë së tij të paligjshme.
Arrestimi i parë i tij ishte bërë para gjashtë ditësh në zonën e Colombo, por u la i lirë. Këtë herë ai është burgosur me vendim gjykate, në pritje të procesit.
Komente
