Milano- Dozat e kokainës dhe parave të gatshme, si në makinë ashtu edhe në shtëpi, kanë vënë në pranga një shpërndarës droge në Milano të Italisë.
Pasditen e së shtunës (21 Shtator), në Garbagnate Milanese, karabinierët e stacionit lokal njoftuan se arrestuan në flagrancë një 36-vjeçar shqiptar, për posedim të paligjshëm të lëndëve narkotike.
36-vjeçarit i cili u ndalua makina në postbllok dhe iu nënshtrua kontrollit personal dhe automjetit. Në kontroll iu gjetën 5 mbështjellës me 73 gramë kokainë të ndarë në doza dhe shuma prej 1140 euro.
Kurse nga verifikimet në banesë, karabinierët gjetën 110 gramë të tjera kokainë, brenda në gardërobë, të ndara në dy mbështjellës, dy peshore precize, materiale të ndryshme paketimi dhe 2170 euro në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.
36-vjeçari, emri i të cilit nuk u publikua, është shoqëruar në dhomat e sigurisë në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor në pritje të gjykimit direkt në Gjykatën e Milanos.
Ka dyshime se i riu i përket një rrjeti të organizuar narkotrafiku, teksa sasia e kapur cilësohet e konsiderueshme për një shpërndarës.