Bolonja- Një 33-vjeçar shqiptar ka përfunduar në qelitë e karabinierisë pasi akuzohet se jo vetëm dhunoi partneren e tij pasi shkoi i dehur në shtëpinë ku jetonin, por edhe sulmoi efektivët gjatë ndërhyrjes për ta shoqëruar dhe shmangur rëndimin e situatës.
Ngjarja ka ndodhur në Savena të Bolonjës, teksa i dyshuari u ndalua dhe ndodhet në pritje të gjyqit me procedurë të shkurtuar.
Karabinierët u njoftuan për një konflikt familjar dhe menjëherë shkuan në vendngjarje. Në momentin e mbërritjes panë 33-vjeçarin që po shkatërronte shtëpinë dhe po grindej me partneren. Kjo e fundit i informoi se ai ishte kthyer i dehur nga lokali në banesë dhe e kërcënonte.
Fillimisht ai u bind ndaj thirrjes së efektivëve për t’u qetësuar, por kur pa partneren që u afrua sërish shpërtheu në një valë të dytë dhune, që përfshiu edhe karabinierët. Si pasojë e shtyrjes prej tij, ata u përplasën me derën e jashtme të xhamtë në korridor, e cila u thye, duke lënduar edhe një prej tyre, që u mjekua në urgjencën e spitalit, informon media italiane.
Pas një rezistence të shkurtër shqiptari u arrit të ndalohej dhe mbyllej në paraburgim, në pritje të masës së sigurisë dhe procesit.
Komente
