ITALI- Një 36-vjeçare me origjinë shqiptare, që jetonte në Firence, por kishte zyrën në Siena, u arrestua nga policia italiane teksa u kap me 1,2 kg kokainë dhe 16 mijë euro cash.
Autoritetet thanë se e kishin nën vëzhgim të dyshuarën prej kohësh, për shkak të personave me precedentë me të cilët ajo shoqërohej. Operacioni u bë më 19 shkurt, kurse lënda narkotike iu sekuestrua në ambientet e zyrës së saj, në zonën e Valdelsa Senese, në veri.
Oficerët e policisë pikasën shqiptaren në lëvizje të dyshimta dhe vendosën që ta ndiqnin, deri tek ushtrimi i kontrollit fizik.
Fillimisht kontrolli nisi në shtëpi, ku policia nuk gjeti drogën, por brenda dhomës së gjumit, mbi 16 mijë euro cash dhe në kuzhinë, një makinë vakum dhe materialin tipik të paketimit të dozave. E gjithë kjo ua forcoi besimin se 36-vjeçarja e fshihte drogën diku tjetër.
Intuita e tyre i çoi te zyra e 36-vjeçares, në kufirin me Valdelsa Senese. Brenda komodinës së tavolinës, gjetën një çantë shpine që përmbante afërsisht 1,2 kilogramë kokainë, të ndarë në porcione të ndryshme: 6 pako 15-gramshe të mbushura me vakum dhe tre më të mëdha nga 100, 300 dhe 700 gramë. Kishte gjithashtu një peshore precize, informon media.
Në këto momente asaj iu vendosën prangat dhe u mbyll në Burgun e Sollicciano, në Firence. Droga dhe materialet e tjera, përfshi shumën e 16 mijë eurove cash, u sekuestruan si prova materiale.
Policia italiane me drogën dhe eurot e sekuestruara, pas aksionit
Komente
