Foto ilustruese

Bota

Itali/ Trafik kokaine për klientë VIP në Como, goditet grupi i shqiptarëve, 9 të arrestuar! Skema e njëjtë, rekrutonin korrierë sezonalë për 3 muaj

9 Dhjetor, 16:20
  • Share

Itali- Një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shqiptarë është goditur nga policia italiane, teksa hetimet zbuluan se bënin shpërndarjen e kokainës në zonën e Como, për klientë VIP.

Mes blerësve të mallit kishte emra të njohur për publikun, mes tyre sipërmarrës apo dhe studentë, teksa dozat u shkonin në vendet e punës apo në banesa.

Dhe përsëri e njëjta skemë. Korrierët apo shitësit ishin shqiptarë që cilësoheshin si “kuaj pune”, që qëndronin për 3 muaj ilegalisht, u sigurohej akomodimi, ushqimi dhe mjetet e punës dhe më pas ktheheshin në atdhe, për t’u zëvendësuar nga një tjetër grup 3-mujorsh.

Hetimet për dosjen më të fundit janë bërë ndërmjet viteve 2022 dhe 2023, nga Njësia Mobile e Grupit Ponte Chiasso, e koordinuar nga zëvendësprokurori i Como Simona De Salvo. 9 persona të dyshuar janë arrestuar, pesë prej të cilëve mbetën në paraburgim dhe 4 të tjerëve iu lehtësua masa e sigurisë.

Gjatë hetimeve u sekuestruan 29 mijë euro dhe një mijë franga zvicerane, gjysmë kilogrami kokainë dhe një motoçikletë, si dhe 25 blerës droge (përdorues) të denoncuar në Prefekturë. Gjithashtu, hetime të mëtejshme janë duke u zhvilluar, si rezultat i kallëzimit në Komisariatin e Policisë Como, për pronarët e ambienteve të akomodimit ku kanë qëndruar shpërndarësit e drogës, duke mos respektuar dispozitat për sigurinë publike.

Në fillim të dhjetorit 2022, Markeljan Toli, 25-vjeçari shqiptar, të cilit iu gjetën 60 gramë kokainë pasi u vunë re teksa i jepte doza një blerësi dhe 17 mijë euro i mbante në dhomën që ai zinte në një motel ‘B&B’ (Bed and Breakfast/ Mëngjes dhe shtrat) në Como, përfundoi në burg, shkruan media italiane.

Tre muaj më vonë, në shkurt 2023, Klajdi Frroku, 19-vjeçari shqiptar nga Tirana, u arrestua në të njëjtën mënyrë, i bllokuar teksa tregtonte në Piazza del Popolo. Në makinën e tij me qira iu gjetën 40 doza kokainë dhe në dhomën e tij 300 gramë të tjera.

Hetimi vazhdoi për identifikimin e subjekteve të tjerë të akuzuar tashmë se kanë marrë pjesë në trafikun e drogës ndërmjet Italisë dhe Gadishullit Ballkanik.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?