Parma- Karabinierët italianë në Fidenza të Parmës arrestuan një 30-vjeçar shqiptar për shitje kokaine, teksa zbuluan edhe një mekanizëm dhe teknikë të veçantë të përdorur nga tregtari i drogës.
Aksioni u krye në zonën ku ndodhet edhe parkingu i mjeteve, në varrezat e Cabriolos. Aty efektivët konstatuan dy makina me motorin e ndezur. Në një prej mjeteve qëndronin dy persona dhe në tjetrin që kishte derën e hapur, një i tretë që iu afrua dhe u dha diçka në shkëmbim.
Në këtë moment karabinierët ndërhynë. Gjatë kontrollit, 30-vjeçarit shqiptar iu gjet sasia e drogës dhe 350 euro para të gatshme. Situata u bë edhe më e dyshimtë kur burri shfaqi ankth të mëtejshëm për mundësinë e shtrirjes së kontrollit në makinën e tij, duke u pozicionuar në mënyrë që të mbulonte një pjesë të caktuar të automjetit (pjesa e gomës së pasme, ku kishte një mekanizëm të çuditshëm).
Shqiptari rezultoi se kishte krijuar një dhomëz të fshehtë brenda makinës, një sistem mekanik i ndërtuar vetë, që kishte pjesë metalike dhe magnetike, që e mbante të të ngjitur me mjetin. Aty ndodhej e puthitur një kuti, në dukje krem për fytyrën (në foto), ku ishin futur 10 doza kokaine me peshë 6 gramë, informon media italiane.
Shqiptari u arrestua, ndërsa në Itali kishte shkuar vetëm javët e fundit. Ndaj tij u vendos masa e ndalimit nga Gjykata e Parmës dhe më tej do bëhet dëbimi i tij. Kurse dy të tjerët u morën nën hetim.
Komente
