Itali- Organizatë kriminale dhe trafik droge janë akuzat për të cilat Policia e Breshias në Itali ka arrestuar një shqiptar të kërkuar nga drejtësia.
I arrestuari është 48-vjeçari P.G., në kuadër të operacionit të njohur si “Icaro”, që sipas medias italiane ka goditur “Klanin Çela”.
Operacioni është kryer nga Shërbimit për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, Zyra e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë, Ekspertit të Sigurisë në Madrid dhe Policisë e Spanjës, pas përgjimeve të platformës së koduar SKY ECC.
Të drejtuar edhe nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Prokurorisë Publike të Breshias dhe SPAK-u shqiptar, u finalizuan urdhër-ndalimet dhe masat për 40 të dyshuarit.
“Organizata duket se është pjesë e një prej grupeve kryesore kriminale shqiptare - klanit Cela të Elbasanit, me në krye Suel Cela, është treguar se ka lidhje të vazhdueshme dhe të rëndësishme në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht në Dubai, ku jetojnë disa nga trafikantët më të rëndësishëm shqiptarë”, informon media.
48-vjeçari ishte identifikuar, ndaluar dhe arrestuar në Madrid më 21 janar, falë një urdhër-arresti europian, me bashkëpunimin e policisë shqiptare dhe asaj spanjolle. Por më tej rezultoi se ai kërkohej edhe në Breshia, duke bërë komunikimin e arrestimit për këtë qëllim.
Hetimi ka çuar në zbulimin e 40 personave të implikuar në rrjetin e narkotrafikut nga Amerika e Jugut në portet europiane dhe dhënien e 20 masave paraprake. Ai ishte ndër personat e kërkuar të listës, që tashmë konfirmohet ekstradimi nga Spanja dhe komunikimi i akuzave në qelitë e paraburgimit në Breshia.
Hetimet ndaj organizatës kishin nisur të paktën 5 vite më parë, për transportin e tonelatave me kokainë në disa vende të BE-së.
Grupi kishte lidhje me Kolumbinë, Ekuadorin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa financonte trafikun e sasive të mëdha të drogës për kartelin.
Operacion u bë edhe në Shqipëri, me 5 të arrestuar. Gjykata e Elbasanit la në ‘arrest me burg’ me qëllim ekstradimin drejt Italisë Igli Dervishi, 30 vjeç, Shkëlqim Pashja, 44 vjeç e Ervin Dema, 40 vjeç.
Të tre shtetasit banues në Elbasan akuzohen se janë pjesë e një grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, i lidhur me klanin Çela në Elbasan që trafikonte kokainë nga Amerika Jugut drejt Italisë dhe vendeve të Europës Qendrore.
Ndërkohë sipas SPAK, Shkëlqim Pashja rezulton të jetë njëri prej dy vëllezërve që drejtonin grupin kriminal. Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u regjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali.
Ka qenë një kontroll rastësor më 2020 në liqenin Garda në Breshia fillimisht dhe më 2021 kapja e 350 kg kokaine po në këtë zonë, që çuan te kapot e organizatës italo-shqiptare. Fitimet e drogës dërgoheshin në Shqipëri me autobusë të linjës Breshia-Elbasan.