Bota

Itali/ U arrestua për lidhjet me organizatën mafioze, Apeli liron shqiptarin: S'ka prova! Pesë vite më parë vuri dhe dy bomba (EMRI)

30 Korrik, 15:50| Përditesimi: 30 Korrik, 15:56

  • Share

FOXHIA- Gjykata e Apelit të Barit liron shqiptarin e akuzuar për lidhje me organizatën mafioze italiane që operonte në Foxhia.

Pas rishikimit të ankimimit të dosjes, gjyqtarët vendosën se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin se Erjon Rameta, 37 vjeç, me precedentë penalë, të jetë i lidhur me mafian e qytetit, duke hedhur armën gjatë ndjekjes policore.

Pas verdiktit, shqiptari është liruar nga qelitë e paraburgimit.

Rameta u arrestua mëngjesin e 14 korrikut, së bashku me Leonardo Russo-n, një 20-vjeçar italian, me akuzat për ndihmë dhe inkurajim në mbajtjen e armëve të zjarrit, posedim të paligjshëm dhe pranim të mallrave të vjedhura (një pistoletë Beretta kalibri 7.65 me pesë fishekë në karikator dhe numrat serialë të fshirë).

Arsyet e lirimit do të paraqiten në javët në vijim. Tre gjyqtarët e shqyrtimit rrëzuan urdhrin e gjyqtarit të hetimeve paraprake të Gjykatës Daunia, i cili vërtetoi arrestimin, miratoi kërkesën e prokurorit dhe urdhëroi që dy personat e dyshuar të armatosur të mbaheshin në burg. Ata fillimisht u vunë në arrest shtëpiak, pas arrestimit të tyre në flagrancë.

Apeli i Russo-s për lirim do të dëgjohet në javët në vijim.

Rameta (i arrestuar në prill 2020 dhe i liruar së fundmi pasi vuajti një dënim gjashtëvjeçar të reduktuar për sjellje të mirë për vendosjen e dy bombave jashtë një pubi dhe një qendre ditore për të moshuarit në vitet 2019 dhe 2020), ashtu sikurse edhe Russo (i arrestuar në shkurt 2022 si i mitur për bashkëpunim në një bombë në një pub), besohet se janë afër organizatave kriminale që operojnë në Foxhia.

Në orën 7 të mëngjesit më 14 korrik, një makinë patrullimi policie hasi një skuter Yamaha T-Max në ‘Via Guido D'Orso’, me dy persona me helmeta. Ata parkuan mjetin e tyre përpara një ndërtese në Via La Piccirella, hynë në ndërtesë, të ndjekur nga oficerët, informon media italiane.

"Në katin e dytë, njëri nga dy burrat hodhi një armë në dysheme, përpara se të kapej në katin e tretë. Duke pasur parasysh rrethanat e kohës dhe vendit, nuk ishte e mundur të përcaktohej se cili nga dy individët hodhi armën; nuk kishte njerëz të tjerë në ndërtesë përveç një burri në katin përdhes", deklaroi policia pas hetimeve. Një kat më poshte banonte edhe një person që ishte plagosur nëntë vjet më parë në një pritë të lidhur me luftën e klaneve, por që nuk u përfshi në këtë rast. Nuk dihet ende nëse dy personat kishin lidhje shoqërore me të apo po shkonin për të kryer ndonjë larje hesapi

Kur u morën në pyetje nga gjyqtari hetues, Rameta dhe Russo ushtruan të drejtën e tyre për të heshtur. Gjykata e shkallës së parë i la në paraburgim, por tashmë Apeli ka liruar shqiptarin për mungesë provash, pasi sipas policisë, nuk dihet se cili prej tyre e kishte armën e zjarrit.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?