Itali- Gjykata italiane dënon me 1,5 vite burgim me kusht ish-futbollistin e Dinamos së Tiranës, që u arrestua më 10 mars duke shitur kokainë dhe me armë të ftohtë pa leje.
45-vjeçari pasi ka dalë në një proces të përshpejtuar në gjykatë, pranoi fajësinë, teksa kjo ishte hera e dytë që arrestohej brenda një muaji. Më herët ai ishte kapur në muajin shkurt (data 3) në Norm, po duke shitur lëndë narkotike.
Ish-futbollisti shqiptar i Kategorisë Superiore u lirua nga paraburgimi, teksa u paralajmërua të mos kryejë krim tjetër, pasi do vuante edhe dënimin që i ishte kthyer me kusht.
Vendimi u dha nga gjyqtari Giuseppe Palasciano.
Arrestimi i ish-sulmuesit u bë në Ferrara, (Argino Ducale), teksa emri nuk u bë publik. Bëhet fjalë për një futbollist që ka luajtur edhe në kupën Intertoto, por u tërhoq nga fushat e blerta në moshë të re në vitin 2005, pas dy sezoneve me Dinamon.
Ai u kap nga policia teksa po i jepte një dozë kokaine një burri që e priste me biçikletë. Ishte ky i fundit që tërhoqi vëmendjen e policisë. Gjatë kontrollit iu gjetën me vete 60 eurot që kishte shitur drogën dhe një thikë. Ndërsa blerësi dozën me kokainë që e kishte fshehur brenda këpucës, 1,27 gramë, informon media italiane.
Edhe në muajin shkurt iu gjetën disa doza kokainë, por në këtë rast sulmoi edhe një nga zyrtarët e policisë lokale duke e goditur. Avokati kërkoi bashkimin e të dyja çështjeve dhe gjykim të shkurtuar, teksa shqiptari pranoi autorësinë dhe shprehu pendesë.
Komente
