Itali- Një operacion nga Karabinierët të Pescara çoi në arrestimin e 2 shqiptarëve për akuzën e shitjes së drogës në sasi të konsiderueshme në Itali.
Operacioni synonte luftimin e fenomenit në rritje të trafikut të drogës në zonë, kryesisht kokainës. Hetimet nisën nga një kontroll rutinë, që çoi në zbulimin e mbi një kilogrami droge dhe në kontrolle të mëtejshme që lejuan zbulimin e substancave të tjera të paligjshme.
Karabinierët ndaluan të dyshuarit në bordin e një makine të vogël pranë kabinës së pagesës së autostradës ‘Pescara Nord’. Shqiptarët, me precedentë të mëparshëm penalë, gjatë kontrollit kanë shfaqur shenja nervozizmi. Kur oficerët u afruan, dy burrat u përpoqën të largonin një paketë, duke e hedhur nga dritarja.
Kjo sjellje e dyshimtë bëri që karabinierët të vazhdonin me kontrolle të mëtejshme për të rikuperuar materialin e hedhur. Pak larg makinës, ushtarët gjetën një bllok kokaine me peshë 1.134 kg të mbështjellë me celofan. Nga analiza e përmbajtjes është vërtetuar se bëhet fjalë për drogë, vlera e së cilës në tregun ilegal kalon 100 mijë euro .
Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 5342 euro cash, të ndara në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Kontrolli u shtri më tej në banesat e të dyshuarve, në Pescara dhe Teramo, ku u gjetën sasi të tjera të vogla droge, informon media.
Në përfundim të dy shqiptarët u arrestuan në kushtet e flagrancës dhe u izoluan në paraburgim.
Komente
