Anisa Murati vogëlushja shqiptare 7 vjeçare që jetonte në Itali me familje, humbi jetën dy javë më parë teksa u mbyt në liqenin Caraglio në provincën e Cuneos. E mitura ishte në një kamp veror me fëmijë të tjerë si dhe me dy animatorë.
Prokurorja Alessia Rosati është duke kryer hetime mbi vdekjen e 7 vjeçares, pas edhe thirrjeve të familjarëve të së ndjerës që kërkonin drejtësi. Nën hetim nga prokurorja është Famullitari i Demontes, Don Fabrizio Della Bella dhe një prej animatorëve.
Vajza 7 vjeçare ndiqte kampin veror të famullisë së Demontes. Hipoteza për personat në hetim është ‘vrasje nga pakujdesia’, ku përfshihen edhe drejtuesi i strukturës së shkollës verore.
Struktura verore Bioparki është nën sekuestrim dhe nesër më datë 1 gusht do të ketë hetime të mëtejshme me teknikët e Spresal dhe zjarrfikësit. Qendra verore kishte gjithsej në përbërje 15 fëmijë dhe dy animatorë të rritur.