Një koncert i planifikuar në Itali nga dirigjenti i njohur rus Valery Gergiev, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Vladimir Putin, është anuluar pas reagimeve të forta publike dhe ndërkombëtare.
Gergiev do të drejtonte një orkestër lokale në festivalin muzikor “Un’Estate da Re” më 27 korrik në Reggia di Caserta, një ish-rezidencë mbretërore pranë Napolit dhe monument i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Menaxhmenti i këtij institucioni njoftoi përmes një deklarate të shkurtër se performanca e tij është anuluar.
Kjo do të ishte paraqitja e parë e Gergiev në Evropë që nga nisja e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Koncerti ishte mbështetur nga presidenti i rajonit të Campanias, Vincenzo De Luca, ndërkohë që festivali organizohet dhe financohet nga autoritetet rajonale.
Vendimi për anulimin e koncertit erdhi pasi mbi 16,000 persona, përfshirë laureatë të Çmimit Nobel, politikanë italianë dhe ndërkombëtarë, si dhe aktivistë, nënshkruan një letër drejtuar De Lucas dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar që Gergiev të mos lejohej të performonte.
Koncerti shkaktoi përplasje të forta politike në Itali, ku ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, shprehu shqetësimin se një ngjarje e tillë mund të dërgonte një mesazh të gabuar.
“Arti është i lirë dhe nuk mund të censurohet”, tha Giuli, por shtoi se “propaganda, edhe kur realizohet me talent, është diçka tjetër.”
Kritikët e koncertit e përshëndetën anulimin si një fitore.
Valery Gergiev është një nga figurat më të fuqishme të kulturës ruse. Ai ka shfaqur publikisht mbështetje për Putinin, duke përfshirë një video të fushatës së vitit 2012 dhe mbështetje për aneksimin e Krimesë në 2014.
Komente
