TIRANË- Brenda këtij viti, Shqipëria dhe Italia do të mbajnë për herë të parë një samit ndërqeveritar. Dakordësia është arritur në Tiranë, gjatë takimit bilateral që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar me kryeministren italiane Giorgia Meloni, gjatë vizitës së saj edhe për samitin e Komunitetit Politik Europian, që u mbajt për herë të parë në vendin tonë. Takim mes dy liderëve që mori vëmendje edhe për mënyrën si Rama priti Melonin, duke u ulur në gjunjë.
Gjatë takimit bilateral, mësohet se dy kryeministrat kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët me 7 pika, ku përmes këtij samiti ndërqeveritar që pritet të mbahet brenda këtij viti, dy vendet zotohen të thellojnë më tej bashkëpunimin në disa fusha, si mbrojtja dhe siguria, energjia, emigracioni, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se ky samit do të shërbejë si mundësi për të bërë një bilanc të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme në funksion të forcimit të partneritetit strategjik.
Në takim, Rama dhe Meloni kanë rënë dakord për pikat ku do të përqendrohet puna përgatitore për samitin ndërqeveritar. Sa i takon industrisë së mbrojtjes, do të forcohet bashkëpunimi për furnizimin me mjete dhe teknologji në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për ndërtimin dhe menaxhimin e infrastrukturave detare dhe të kantierëve detarë në Shqipëri.
Në deklaratë thuhet se do zgjerohet edhe bashkëpunimi në fushën energjetike, mbi bazën e marrëveshjes Itali-Emiratet e Bashkuara Arabe–Shqipëri, të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, për linjën nënujore të transmetimit të energjisë.
Dy vendet pritet që të ngrenë një grup pune të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe forcimin e kapaciteteve shqiptare të patrullimit detar. Ndërsa, sa i takon fushës së shëndetësië, në deklaratën e përbashkët parashikohet ndërtimi i një reparti neonatologjie pranë Spitalit “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Po ashtu, sipas deklaratës thuhet se dy vendet do punojnë për arritjen e një marrëveshjeje Kuadër për njohjen formale të “Cassa Depositi e Prestiti” në Shqipëri si një institucion financiar për zhvillimin, funksional për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike dhe infrastrukturore, duke përfshirë edhe mbështetjen teknike italiane për krijimin e Bankës së re të Zhvillimit të Shqipërisë.
Parashikohet ndërtimi i një qendre të përbashkët panairi në Tiranë, e quajtur “ExpoAlbania”.
Në deklaratë nuk lihet pa përmendur as procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, ku thuhet se “Italia dhe Shqipëria do të përcaktojnë në mënyrë të përbashkët fusha specifike me vlerë të lartë të shtuar për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në kuadër të asistencës teknike para-anëtarësimit që tashmë është në zbatim.”
Në fund, dy liderët thonë se organizimi për herë të parë i Giro d’Italia nga Shqipëria, është nje dëshmi lidhjes së fortë mes dy vendeve.
Deklarata e plotë e përbashkët Rama-Meloni
Kryeministrja e Këshillit të Ministrave të Italisë, Giorgia Meloni, dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, u takuan sot, më 16 maj 2025, në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, duke riafirmuar interesin e ndërsjellë të fortë për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe në funksion të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër dhe në kontekstin e marrëdhënieve të privilegjuara midis Romës dhe Tiranës, të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të datës 13 tetor 1995, Deklaratës së Partneritetit Strategjik të 12 shkurtit 2010 dhe Protokollit për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e migracionit të 6 nëntorit 2023, u ra dakord që të thirret brenda këtij viti në Itali Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri.
Ky Samit do të shërbejë si mundësi për të bërë një bilanc të bashkëpunimit dypalësh dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme në funksion të forcimit të partneritetit strategjik midis Romës dhe Tiranës, duke identifikuar disa fusha kyçe, përfshirë: mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë, migracionin, mbrojtjen civile, shëndetësinë, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor, me një fokus të veçantë tek formimi profesional në secilën nga këto fusha bashkëpunimi.
Takimi i sotëm shërbeu gjithashtu për të identifikuar fusha specifike ku do të përqendrohet puna përgatitore në prag të Samitit ndërqeveritar:
▪ Industria e Mbrojtjes: Në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes të 10 tetorit 1995 dhe Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes të 18 shtatorit 2009, do të forcohet bashkëpunimi për furnizimin me mjete dhe teknologji në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për ndërtimin dhe menaxhimin e infrastrukturave detare dhe të kantierëve detarë në Shqipëri, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e njësive detare dhe për zbatimin e nismave të formimit teknik dhe profesional;
▪ Energjia: Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën energjetike, mbi bazën e marrëveshjes trepalëshe Itali–Emiratet e Bashkuara Arabe–Shqipëri, të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe ndërtimin e një lidhjeje të nëndetshme për energjinë e rinovueshme midis Italisë dhe Shqipërisë;
▪ Bashkëpunimi në fushën e migracionit: Krijimi i një grupi pune të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe forcimin e kapaciteteve shqiptare të patrullimit detar;
▪ Mbrojtja civile: Ardhja në një marrëveshje për krijimin e një “Sistemi të Mbrojtjes Civile” në Shqipëri me qëllim transferimin e dijes profesionale (knoë-hoë);
▪ Shëndetësia: Forcimi i bashkëpunimit në fushën e shëndetit amësor dhe neonatal në Shqipëri, për ndërtimin e një reparti neonatologjie pranë Spitalit Publik “Gliozheni” në Tiranë;
Zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor:
-Ardhja në përfundimin e një Marrëveshjeje Kuadër për njohjen formale të “Cassa Depositi e Prestiti” në Shqipëri si një institucion financiar për zhvillimin, funksional për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike dhe infrastrukturore, duke përfshirë edhe mbështetjen teknike italiane për krijimin e Bankës së re të Zhvillimit të Shqipërisë;
-Ardhja në një marrëveshje për ndërtimin e përbashkët të një qendre panairi në Tiranë, e quajtur “ExpoAlbania”;
-Krijimi i instrumenteve ligjore dhe teknike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë së detit dhe zhvillimin e projekteve të lidhura me industrinë e peshkimit në Shqipëri;
-Thellimi i bashkëpunimit mes “Simest” dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shqipërisë përmes nismave formuese dhe mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane dhe shqiptare mbi mundësitë në tregjet respektive, duke nxitur partneritetet dhe investimet.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian:
Italia dhe Shqipëria do të përcaktojnë në mënyrë të përbashkët fusha specifike me vlerë të lartë të shtuar për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në kuadër të asistencës teknike para-anëtarësimit që tashmë është në zbatim.
Duke i hapur rrugë konsultimeve teknike që do të çojnë në përcaktimin e detajuar të objektivave, përmbajtjes dhe formatit të Samitit dypalësh që është objekt i kësaj Deklarate, Kryeministrat i Italisë dhe i Shqipërisë përkujtuan me kënaqësi nisjen në Shqipëri të edicionit të 108-të të Giro d’Italia, që ndodhi më 9 maj në Durrës, si dëshmi e lidhjes së fortë mes dy vendeve, e cila shtrihet edhe në diplomacinë sportive si mjet bashkëpunimi dhe rritjeje të përbashkët.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
