Policia e Shtetit ndihmon partnerët italianë në arrestimin e një shqiptari të shumkërkuar për trafik ndërkombëtar të drogës.
Ka qenë njësia FAST Albania, që nëpërmjet rrjetit ENFAST, bashkë me Italinë dhe Kroacinë, arrestoi teksa fshihej në shtetin kroat 23-vjeçarin Arjan Toçi.
“Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Kroacisë dhe FAST Italisë, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi, në territorin e Kroacisë, i shtetasit shqiptar A. T., 23 vjeç, banues në Peshkopi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, bënë me dije Policia e Shtetit.
Sipas dosjes hetimore rezulton se i riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e L’Aquilas, Itali, për veprën penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.
“Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë”, njoftoi policia.
Komente
