Forli- Italia e kishte dëbuar nga vendi, shqiptari rikthehet me identitet fals dhe kapet në trafik kokaine.
Karabinierët lokalizuan në Cesenatico 33-vjeçarin që ishte përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së drogës, duke e prangosur orët e vona të 5 marsit.
Prej kohësh efektivët e Forlit kishin sinjalizime për aktivitet të paligjshëm në zonë, por pasi e arrestuan zbuluan se i riu ishte një emër i njohur i drejtësisë italiane. Ai ishte dëbuar nga Italia, por ka mundur të gjejë rrugën për t’u rikthyer me një identitet të ri fals.
Kapja e tij u bë në momentin që sapo kishte shitur dy dozat e radhës tek një blerës vendas. Kontrolli në banesë zbuloi se e kishte kthyer atë në një bazë droge, duke i sekuestruar 60 doza kokainë me peshë 35 gramë. Shitja e saj do sillte disa mijëra euro fitime. Në shtëpinë e shqiptarit u gjet edhe material për paketimin e dozave dhe një shumë parash që mendohet se janë të ardhura nga trafiku i drogës.
Lënda narkotike e gjetur, së bashku me një peshore precize dhe para, u sekuestruan dhe u vunë në dispozicion të Prokurorisë Publike të Forlit.
Gjatë operacionit i arrestuari tregoi një dokument, të lëshuar rregullisht nga autoritetet shqiptare, ku raportoheshin detaje personale që nuk përputheshin me ato që njihnin karabinierët e Cesenatico-s, të cilët e kishin arrestuar në të kaluarën, për më tepër për të njëjtin krim, me të dhëna të tjera personale dhe me të cilat ai ishte dëbuar tashmë nga territori kombëtar.
Në përfundim të procedurave specifike të identifikimit, u konfirmua identiteti i saktë i 33-vjeçarit, të cilit i ishte ndaluar hyrja në Itali për 5 vite, informon media italiane.
Në përfundim të aktiviteteve, 33-vjeçari, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Publike të Forlit, u mbajt në qelitë e sigurisë së kazermave të Karabinierëve, në pritje të seancës së vlefshmërisë.
Komente
