Teksa kombëtaret e kualifikuara në Europian po përgatiten që të jeni sa më gati për Gjermani, te Italia është identifikuar një krizë e madhe sulmuesish, që asnjëherë nuk ka qenë më e thellë sesa kaq. Të paktën sipas numrave.
Trajneri Spalletti, për dy miqësoret kundër Venezuelës dhe Ekuadorit, ka grumbulluar 7 sulmues, por asnjëri prej tyre nuk ka kapur shifrën e 10 golave në kampionat kur sezonet po shkojnë drejt fundit. Më afër me rrjetën, nga ata të grumbulluarit, është Orsolini i Bolonjës, i cili ka realizuar 9 herë. Po aq sa Berardi, por që është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë as në Europian. Të njëjtin numër golash ka në Seria A edhe Pinamonti i Sassuolos, por që nuk është grumbulluar nga Spalletti, ashtu si Immobile dhe Scamacca të lënë në shtëpi nga trajneri.
Për të gjetur titullarin është ende më e vështirë, me italo-argjentinasin Retegui i Genoas i cili duket më i avantazhuar. Bie në sy se disa prej sulmuesve të grumbulluar luajnë pak, si Zaniolo i Aston Villas, Raspadori i Napolit apo edhe Zaccagni i Lazios e Chiesa i Juventusit.
Fakt është se lojtarët italianë të cilët luajnë në 4 kampionatet më të rëndësishme në Europë janë në numrin më të ulët ndonjëherë. Vetëm 13 prej tyre dhe ata kryesisht futbollistë të natyralizuar. Për të bërë një krahasim me 2015 kanë qenë 30 futbollistë jashtë kufinjve të Italisë. Madje edhe në Seria A 13 sulmuesit më të mirë këtë sezon janë të huaj dhe asnjë italian.
Kjo ka edhe një të mirë për Shqipërinë, pasi me 15 qershor ndeshja e parë e kuqezinjve në Europian do jetë kundër Italisë.