Italia po përjeton momentet e saj të lëvizjes "Black Lives Matter" pas vdekjes së dhunshme të një të riu me ngjyrë Willy Monteiro Duarte, 21-vjeçarit i cili u rrah për vdekje nga katër persona sepse ndërhyri në mbrojtje të mikut të tij.
Qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë mortore për të riun, vdekja brutale e të cilit ka tronditur vendin. Katër persona u arrestuan për vrasjen, 2 prej të cilëve vëllezër, por deri tani prokurorët nuk e kanë konfirmuar nëse vrasja ishte e motivuar në bazë racore.
Në ceremoninë mortore shumica ishin të veshur me këmisha të bardha dhe kishin vendosur maska në fytyrë. Të gjithë duartrokitën në shenjë respekti për të riun. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Kryeministri italian Giuseppe Conte dhe ministri i brendshëm.
Kryeministri italian u shpreh i tronditur nga vdekja e Monteiro Duarte. Në deklaratën e tij ai kërkoi drejtësi dhe pyeti retorikisht se çfarë do të thotë që dikush të vritet në Itali në përpjkje për të ndihmuar një mik.
“A do t’u themi fëmijëve tanë të kthejnë kokën? Të mos ndërhyjë për të shuar mosmarrëveshjet ose për të mbrojtur miqtë në vështirësi", tha Conte.
Ndërkohë, të katër të arrestuarit janë bërë subjekt i fyerjeve dhe urrejtjes në mediat sociale nga njerëz të zemëruar për vdekjen e Duarte, duke çuar në hashtagun #vigliacchi (frikacakë) në trendin e Italisë.
Vdekja e Duarte vjen në një kohë kur tensionet mbi racizmin janë veçanërisht të mprehta pas vdekjes së George Floyd, një Afrikano-Amerikan i cili vdiq në maj pasi një oficer i vuri gjurin në qafë për gati nëntë minuta, megjithëse lutjet nga Floyd që ai nuk mund të merrte frymë.