Qeveria italiane vlerëson “ndryshimin e qëndrimit të SHBA”, siç e ka quajtur Giorgia Meloni, përsa i përket luftës në Ukrainë. Por nuk do të blejë armë drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara për t’ia kaluar më pas ushtrisë së Kievit. Kjo linjë konfirmohet për La Repubblica nga burime të Ministrisë së Mbrojtjes, në orët kur kancelaritë e vjetra të kontinentit po shqyrtojnë deklaratat e manjatit amerikan, i cili pardje, përkrah sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, deklaroi nga Zyra Ovale se Shtetet e Bashkuara do të prodhojnë pajisje ushtarake për t’u dërguar në Ukrainë, por do të jenë “evropianët që do të paguajnë” faturën.
Italia, sipas të njëjtave burime të Mbrojtjes, nuk ka ndërmend të ndjekë këtë lloj skeme blerjeje, siç po e shqyrton Gjermania e Friedrich Merz për raketat Patriot, raketa tokë-ajër të kërkuara disa herë nga Volodymyr Zelensky në samitet me aleatët perëndimorë. Kjo vlen edhe për çështje të tjera, nga obusët te bombat për avionët luftarakë. Sa i përket fushës ushtarake, për Italinë shkëmbimet tregtare me Uashingtonin do të mbeten të pandryshuara dhe do të përqendrohen kryesisht te F35-at (avioni shumëfunksional i gjeneratës së pestë, në dispozicion të Forcave Ajrore dhe Marinës Ushtarake), por pa aktivizuar kontrata të reja. Do të mbeten në fuqi vetëm marrëveshjet tashmë të nënshkruara. Ndoshta, duke ndjekur një kërkesë që NATO-ja e ka adresuar këto orë në Romë ashtu si në kryeqytete të tjera evropiane, Italia mund të ofrojë mbështetje, si financiare ashtu edhe logjistike, për transportin e armëve nga SHBA në Ukrainë. Asgjë më tepër.
Tema e blerjes së armëve amerikane për Kievin po trazojnë qeveritë e kontinentit. Dje përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Kaja Kallas, shpjegoi se “nëse armët paguhen nga Evropa, atëherë nuk është ndihmë nga Shtetet e Bashkuara”. Qëndrimi i qeverisë italiane merr në konsideratë kufizimet e ndërlikuara buxhetore: në vitin 2025 shpenzimet ushtarake nuk pritet të rriten më, ndërsa për 2026 shumëçka do të varet nga rishikimi i mekanizmave që Bashkimi Evropian do të vendosë për të financuar riarmatimin. Ndikojnë gjithashtu edhe ekuilibrat delikatë politikë brenda koalicionit qeverisës. Dje Matteo Salvini riktheu qëndrimin e Legës mbi këtë çështje: “Të futim në borxh italianët për të blerë armë diku tjetër nuk më duket veprim i dobishëm; të investojmë për sigurinë e brendshme, absolutisht po”.
Antonio Tajani, nga Uashingtoni, ku ka takuar sekretarin e Shtetit Marco Rubio – bisedë që përfshinte edhe çështjen e tarifave – ishte më i paqartë mbi këtë pikë, duke ia kaluar përgjegjësinë llojit të instrumentit të blerjes që duhet të përcaktojë aleanca atlantike. “Të blejmë armë nga SHBA? Vendimi i përket NATO-s – tha ministri i Jashtëm – Ne jemi në favor të mbështetjes për Ukrainën, sekretari i përgjithshëm Rutte do të flasë me liderët dhe do të shohim çfarë do të bëhet. Për momentin është e rëndësishme që nga ana amerikane ka pasur një zgjedhje të fortë në mbështetje të Ukrainës”. Sa i përket Putinit, për ta shtyrë drejt një armëpushimi duhen “tarifa dhe sanksione”.
Meloni e ka trajtuar këtë çështje nga Pallati Chigi, pas pritjes që i bëri mbretit të Bahreinit dhe kancelarit austriak Christian Stocker. “Po shohim sot një ndryshim qëndrimi nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe sigurisht që e mirëpresim pozitivisht”, deklaroi ajo para kamerave dhe gazetarëve (pa pyetje). Qeveria italiane, si shumica e vendeve të BE-së, deri një muaj më parë e shihte me shqetësim linjën e Uashingtonit, nga frika e një tërheqjeje nga teatri i luftës në Ukrainë. Një tërheqje që sot duket më e largët, edhe pse ekziston gjithmonë faktori Trump, me ndryshimet e vazhdueshme të skenarëve dhe deklaratave të komandantit të përgjithshëm. Megjithatë, sipas kryeministres, për të arritur në një negociatë të vërtetë me Putinin është e domosdoshme “të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet, dhe të rrisim presionin mbi Rusinë”. Edhe sepse ofensiva e egër e Moskës vazhdon, civilët goditen, “sulme gjithnjë e më intensive, brutale, që tregojnë sa pak është e angazhuar Rusia për të ndërtuar paqen. Dhe kjo, pavarësisht vullnetit për dialog të administratës Trump, të cilin Putini ka vendosur të mos e pranojë”./La Repubblica
Komente
