Bizneset e vogla dhe të mesme në fushën e prodhimit ushqimor, të energjisë apo në teknologji informacioni, që kanë probleme me financimin, do të mbështeten me hua nga një program i qeverisë italiane. Janë 30 milionë euro në dispozicion të sipërmarrjes shqiptare e cila mund të përfitojë hua me interes të ulët.
“Përmes këtij financimi, sipërmarrjet kanë në dorë një instrument shumë të rëndësishëm financimi, ku kreditë shkojnë deri 500 mijë euro me norma të buta interesi. U japin jetë investimeve të reja në teknologji dhe rritje të kapaciteteve prodhuese”, tha Blerta Rama, zëvendësministre e MEKI.
Ky financim merr rëndësi tjetër, në kushtet kur vendi po synon të hyjë në BE brenda 2030-ës, pasi ndihmon sipërmarrjen të bëhet gati.
“Një nga sfidat më të rëndësishme të sipërmarrjeve është nevoja për kapital dhe për uljen e barrierave për financim. Në këtë moment historik përmes programit tonë japim financim dhe ndihmë teknike”, tha Gavril Lasku, drejtues i Programit Italian për Financimin e SME-ve.
Biznesi shqiptar duhet mbështetur edhe në sigurimin e burimeve njerëzore thotë kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.
“Na duhen shumë mbështetje, së pari në logjistrikë dhe së dyti na duhet financim për të suportuar sipërmarrjen private në ndërgjegjësim, kapital apo dije. Duhet gjithashtu ndërgjegjësimi dhe përgatitja e kapitalit human që në mendimin tim është kushti më i rëndësishëm”, thotë Nikolin Jaka, kreu i dhomës së tregtisë.
Kushti që duhet të plotësojnë bizneset që të përfitojnë nga ky program është se duhet të kenë qarkullim vjetor më pak se 10 milionë euro dhe punësojnë më pak se 250 persona. Po ashtu të gjithë përfituesit e kredisë së butë, deri në 70% të vlerës duhet ta përdorin për investime në biznes dhe lëndën e parë duhet ta marrin nga Italia.
Kur kredia merret në euro interesi do të jetë 3%, ndërsa kur është në lekë interesi do të jetë 4%. Periudha e shlyerjes së kredisë do të jetë 3-8 vjet, ndërsa në 2 vitet e para paguhet vetëm interesi dhe jo principali.
Komente
