Foto ilustruese

Bota

Italia, jo për dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë! Ushtria dhe Marina do të pastrojnë terrenin nga municionet e pashpërthyera

25 Gusht, 07:14| Përditesimi: 25 Gusht, 07:27

  • Share

Ndryshe nga “të gatshmit” Franca dhe Britania e Madhe, Italia nuk ka ndërmend, të paktën për momentin, të dërgojë ushtarët e saj në Ukrainë për të garantuar paqen. Megjithatë, Roma po përgatitet të kontribuojë në përpjekjet kolektive për të siguruar një marrëveshje të mundshme paqeje (dhe aktualisht të largët) midis Moskës dhe Kievit. Dhe po përgatitet ta bëjë këtë me njerëzit e forcave të saj të armatosura. Ditët e fundit, sipas burimeve të kualifikuara, qeveria e Giorgia Melonit u ka komunikuar aleatëve se është e gatshme të vendosë në dispozicion profesionistët e marinës dhe ushtrisë për operacionet e detyrueshme të çminimit të ujërave dhe të territoreve ukrainase.

Është ende vetëm një gatishmëri teorike, sepse, siç theksohet, pikërisht në këto orë një armëpushim duket se po largohet. Megjithatë, Pallati Chigi e ka hapur këtë bashkëpunim gjatë takimeve të fundit mes partnerëve perëndimorë: ato të këshilltarëve për sigurinë kombëtare (NSA), të Mbrojtjes dhe të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve aleate. Madje, dje, sipas Antonio Tajanit, çështja duket se është përmendur edhe gjatë G7-s së ministrave të Jashtëm: "Ne — tha ai — nuk jemi për të dërguar trupa, por mund të japim një kontribut të rëndësishëm me përvojën e madhe që kemi në çminimin detar dhe tokësor. Janë bërë hapa përpara, edhe nga pikëpamja e koordinimit, mbi këtë hipotezë". Është një sinjal i fortë. Bashkëpunimi me aleatët, përfshirë francezët, vjen pas polemikave të ditëve të fundit.

Italia, dihet, është në gjendje të vendosë në det anije gjuetie minash dhe fregata mbështetëse, të domosdoshme për të “pastruar” ujërat. Po ashtu, mund të përdorë ekspertët e ushtrisë për të bërë të njëjtën gjë në territoret e minuara. Nuk është hera e parë që flitet për këtë, sepse që në qershor të vitit 2022 ish-kryeministri Mario Draghi ofroi gatishmërinë e marinës italiane për të çminuar rrugët e anijeve të grurit përgjatë Detit të Zi.

Në atë rast, angazhimi eventual do të kishte qenë i kufizuar. Kësaj here, mbi tavolinë është një operacion shumë më ambicioz, pasi tre vite të tjera lufte e kanë mbuluar Ukrainën me mjete shpërthyese dhe e kanë bërë këtë një nga sfidat më të vështira që prej Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë parasysh minat kundër-tanke, kundër-njerëzve dhe mjetet e pashpërthyera, vlerësohet se 30% e vendit duhet t’i nënshtrohet një bonifikimi. Do të nevojiten të paktën pesë mijë persona (të dërguar nga disa qeveri mike) — sipas ukrainasve — dhe një angazhim që do të zgjasë me dekada.

Dhe nuk mbaron këtu. Roma, sipas të njëjtave burime, është e gatshme të ndihmojë aleatët edhe duke ofruar inteligjencë dhe angazhimin e forcave ajrore italiane për operacionet e policimit ajror. Bëhet fjalë për kontrollin e hapësirës ajrore, thelbësor për të garantuar Ukrainës sigurinë e qiellit, duke pasur parasysh pabarazinë mes Kievit dhe Moskës në këtë terren.

Në të njëjtat mbledhje, qeveria italiane ka mbyllur mundësinë e vendosjes së trupave të saj tokësore. Ky është një nga nyjet që po e ndan në këto orë Romën nga Parisi, siç e tregon edhe protesta zyrtare e Elizesë për fjalët e Matteo Salvinit mbi Emmanuel Macron (dje qarkullonin zëra për një telefonatë mes kryeministres dhe presidentit francez). Megjithatë, kjo qëndron derisa të arrihet vërtet një armëpushim: nëse do të marrë formë një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse, për Melonin do të ishte e vështirë në perspektivë të mbajë jashtë operacioneve në Ukrainë karabinierët (tashmë të angazhuar në shumë misione paqeruajtëse jashtë vendit)./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?