Italia në 160 vjet, çelet në Muzeun Kombëtar ekspozita 'Nga Alinarët tek mjeshtrit e fotografisë bashkëkohore'

2 Shtator 2022, 21:54| Përditesimi: 2 Shtator 2022, 21:59

  • Share

Nga portretet e vëllezërve Alinari tek mjeshtrit e fotografisë bashkëkohore si Emiiano Mancuso, që trajton subjekte intime pa figurë njerëzore, muret e Muzeut Kombëtar u veshën mbrëmjen e së enjtes me imazhe të shtrira në një shekull e gjysmë e që dëshmojnë Italinë e përtej saj përmes një ekspozite..

“Në këtë ekspozitë ka një ndërthurje shumë të rëndësishme të fotografisë artistike, e asaj historike. Për ne si historianë, gjejmë foton e famshme të Giuseppe Garibaldit, që padyshim pati një ndikim edhe në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ashtu siç gjejmë edhe fotot të tjera të rëndësishme të ngjarjeve dhe vendeve që kanë shënjuar historinë e Italisë përgjatë këtij shekulli”, u shpreh studiuesi Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Ngjyra dhe abstraksion nga Franco Fontana, refleksione përmes gjuhës së trupit nga Michele Vestrini, jeta si skenë teatrale e Aleks Majolit, imazhet e fotografëve italianë ndërtojnë një rrëfim vizual përmes momenteve “të ngrira” në kohë.

Peizazhe, vepra dhe fytyra që komunikojnë në një larmi teknikash, copëza nga identiteti i një vendi në 160 vite dhe transformimin e tij.

“Emri i Italisë shkruhet në shumës, për të dhënë idenë e disa italive të vogla. Pasi është ky është qëllimi i ekspozitës, të përfaqësojë një vend me shumë diversitet, me një larmishmëri këndvështrimesh, dhe mendoj se shqiptarët mund ta gjejnë shumë mirë veten në të”, tha Alessandro Ruggera, drejtor i Insitutit Italian të Kulturës.

Ceremoni, gjendje, arkitekturë, spiritualizëm, 75 autorë rrëfejnë përmes imazhit edhe evolucionin e fotografisë italiane, në ekspozitën e kuruar nga Rita Scartoni dhe Luca Criscenti, që qëndron e hapur për dy ditë radhazi.

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?