“La Chimera”, njw film nga Alice Rohrëacher u shfaq mbrëmjen e së mërkurws në kinema Millenium në kuadër të edicionit të “Italian Screens-Kinemaja e re italiane në Tiranë”. Me Josh O’Connor, Carol Duarte, Vincenzo Nemolato, Alba Rohrëacher e Isabella Rossellini, filmi i vendos ngjarjet në vitet ’80, në botën klandestine të “grabitësve të varreve”. Ai rrëfen historinë e një arkeologu të ri anglez të përfshirë në trafikimin klandestin të gjetjeve arkeologjike. Filmi ka marrë 6 nominime dhe fituar një çmim në Nastri d’Argento, 11 nominime në David di Donatello, fituar një çmim në European Film Aëards, si dhe një nominim në Goya në National Board.
“La Chimera”, është i gjashti film i shfaqur që prej 12 prillit në Tiranë në aktivitetin e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës.
“Është një nismë që e bëjmë çdo vit për të prezantuar kinemanë e re italiane. Kemi prezantuar të gjithë filmat më të fundit dhe jemi shumë të lumtur edhe që kemi pasur filma shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Filmat e shfaqur kanë qenë filma të autorëve të rëndësishëm italianë, por dhe tre filma të parë të autorëve të rinj, mes tyre dhe një film animacion. Ndërkohë është mbajtur edhe masterklas me studentët në Akademinë e Arteve. Shpirti i kësaj nisme është të shfaqim kinemanë e re italiane që është e vështirë të shihet në televizion apo në platforma të tjera dhe në të njëjtën kohë të krijojmë mundësi bashkëpunimi. Kinemaja është një hapësirë ku duam të punojmë shumë dhe të krijojmë më tepër mundësi bashkëpunimi dhe produksioni me kineastët shqiptarë.”, - shprehet Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
Filmat janë ndjekur nga një publik i gjerë, mes të cilëve kineastë dhe turistë nga Italia.
“Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm sepse ne shqiptarëve na venë në kontakt me distributorë, me disa filma që fatkeqësisht në Shqipëri nuk kanë distribucionin e duhur dhe me anë të “Italian Screens” mund të shohin shumë vepra aktuale të kinemasë italiane. Është dhe një vend shumë i rëndësishëm ku mund të njohësh persona të kësaj industrie, të krijosh kontakte për bashkëpunime, si në rastin tim. Te filmi i ardhshëm kam bërë një bashkëpunim shumë të lezetshëm me një personazh shumë të rëndësishëm të kinemasë italiane. Filmat janë të një niveli interesant. Tregohet pak a shumë një kinema që është dhe influencuese për ne kineastët dhe kinedashësit.”, - thotë Ergys Meta, regjisor.
Maria Grazia Di Virgilio, mësuese në pension, ka ardhur vetëm për disa ditë në Tiranë.
“Jam habitur për mirë nga ky aktivitet i organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe mbi të gjitha një gjë që më ka entuziazmuar është pjesëmarrja e madhe e publikut shqiptar që ndjekin kulturën italiane, gjë që më bën të ndihem krenare. Sipas meje është një nismë që duhet të vijojë.”, - thotë ajo.
Filma të tjerë të shfaqur në këtë edicion të “Italian Screens” kanë qenë: “Gloria!” nga Margherita Vicario; “La bicicletta di Bartali” nga Enrico Paolantonio; “Il tempo che ci vuole” nga Francesca Comencini; “Ciao bambino” nga Edgardo Pistone dhe “Diamanti” nga Ferzan Ozpetek.
“Italian Screens” është një nismë e ideuar për të prezantuar më të mirën e kinemasë italiane, e promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, nga Cinecittà dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kinemasë dhe Sektorit Audioviziv të Ministrisë së Kulturës.
“Italian Screens” paraqet një mundësi thelbësore për t’i bërë të njohur jashtë vendit protagonistët e kinemasë italiane, për të krijuar një audiencë që vlerëson produksionet e shkëlqyera të momentit, por edhe për t’u prezantuar operatorëve vendas më të mirën e asaj që ofron sistemi audioviziv italian, me qëllim inkurajimin e bashkëprodhimeve, rritjen e cilësisë profesionale të industrisë dhe ndërkombëtarizimin e kinemasë. Ky aktivitet përfaqëson gjithashtu një mundësi të rëndësishme netëork-u për të lejuar operatorët e sektorit të hyjnë në kontakt me ata që mund t’u ilustrojnë më së miri programin nxitës në nivel kombëtar dhe rajonal, në mbështetje të produksioneve që zgjedhin të kryejnë xhirimet e filmave në Itali.
Komente
