Një qytetar duke fshirë platformën 'X' nga telefoni i tij

Bota

Italianët kundër Musk, 23.6% e përdoruesve të ‘X’ braktisin platformën! ‘Rritet’ Zuckerberg

28 Dhjetor, 19:53| Përditesimi: 28 Dhjetor, 20:05

  • Share

ROMË – Rrjeti social X – ish-Twitter – po përjeton një rënie të ndjeshme të ndjekësve dhe përdoruesve në Itali.

Autoriteti i Komunikimeve (AgCom), që monitoron rregullisht gjendjen e rrjeteve sociale në vend, ka publikuar një raport të ri që tregon një situatë shqetësuese për këtë platformë.

Nga shtatori 2023 deri në shtator 2024, X ka përjetuar një “dinamikë negative” (siç e quan AgCom).

Në terma konkretë, X ka humbur 23.6% të “përdoruesve unikë” nga një vit në tjetrin, duke shënuar një krizë të dukshme popullariteti.

Ndikimi politik

Autoriteti italian kufizohet në dhënien e një panorame të përgjithshme të të gjitha rrjeteve sociale, pa komentuar mbi arsyet e suksesit ose vështirësive të tyre.

Gjithsesi, duket qartë se X ka humbur thjeshtësinë e përdorimit, një ankesë që është bërë gjithnjë e më e zakonshme mes përdoruesve.

Por është e mundur që platforma po ndjen edhe pasojat e vendimeve politike të pronarit të saj, Elon Musk. Që nga marsi 2024, themeluesi i Tesla dhe SpaceX ka mbështetur hapur Donald Trump në garën presidenciale në SHBA, duke ofruar fonde të mëdha për fushatën e tij.

Kjo ka sjellë polemika të shumta politike në mbarë botën, të cilat kanë prekur edhe Italinë.

Ndryshimi i algoritmit

Raporti i AgCom ndalet në shtator 2024, por problemet për Musk dhe X nuk kanë fund.

Në tetor 2024, një investigim i Wall Street Journal zbuloi se algoritmi i X ishte ndryshuar për të favorizuar përmbajtje politike gjatë periudhës zgjedhore në SHBA, shpesh në mbështetje të kandidatit republikan.

Në fund të vitit, Musk u përfshi në një tjetër polemikë për mbështetjen e tij ndaj partive të ekstremit të djathtë evropian.

Probleme edhe për TikTok

Përveç sfidave të Musk, një rënie ka prekur edhe TikTok-un, shpesh të cilësuar si një ndër rrjetet më problematike për adoleshentët.

Në raportin e tij, AgCom shkruan: “Për herë të parë, TikTok (nën pronësinë e Grupit ByteDance) ka regjistruar një rënie të përdoruesve (-2.4%) krahasuar me shtatorin 2023.”

Platformat e Zuckerberg në ngritje

Rënia ka prekur gjithashtu edhe rrjetet si LinkedIn – platforma për profesionistët dhe kërkimin e punës – e cila ka pësuar një ulje prej 7.6%, si dhe Pinterest që ka humbur 4.2% të përdoruesve.

Ndërkohë, platformat e Zuckerberg po tregojnë shenja të mira: “Facebook, me 36.9 milionë përdorues, dhe Instagram, me 33.8 milionë vizitorë, kanë regjistruar rritje përkatësisht prej 0.5% dhe 3.6% krahasuar me shtatorin 2023.”

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?