Mattia Furlani pas medaljes së artë feston me flamurin e Italisë

Sport

Botërori/ Italiani 20-vjeçar Furlani në histori, fiton medalje ari në kërcimin së gjati me 8.39 metra: Kam bërë diçka magjike

17 Shtator, 16:00| Përditesimi: 17 Shtator, 16:12

  • Share

TOKIO - Italiani Mattia Furlani fitoi medaljen e artë në kërcimin së gjati në Kampionatin Botëror që po mbahet në Tokio, me një kërcim fantastik prej 8.39 metrash në përpjekjen e tij të pestë, një rekord i ri personal.

20-vjeçari kërceu si fillim 8.13 metra dhe më pas u ndal me faull, por në provën e radhës kapi 8.22 metra. Në provën e pestë ai kapi rekordin personal dhe atë që e dërgoi te medalja e artë. Vendi i dytë dhe medalja e argjendtë shkoi për xhamajkanin Tajay Gayle me 8.34 metra dhe e bronzta për kinezin Yuhao Shi me 8.33 metra.

Forma e atletit 20-vjeçar italian gjatë dy sezoneve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme, me gjashtë ngjitje radhazi në podium në të gjitha kampionatet e mëdha ndërkombëtare. Në vitin 2025, ai ka fituar një medalje argjendi evropiane në salla të mbyllura në Apeldoorn dhe dy medalje ari historike botërore si në kampionatin botëror në salla të mbyllura në Nanjing ashtu edhe në kampionatin botëror në salla të hapura sot në Tokio.

Djaloshi nuk i mbajti lotët, ndërsa pas garës ka thënë se rezultate të tjera do vijnë.

"Ende nuk mund ta besoj. Jam shumë i lumtur sepse nuk ishte e lehtë, por besova në të deri në fund falë planifikimit të përsosur që bëra me ekipin tim. Falenderoj nënën time, e cila është trajnerja ime, babanë tim, i cili ndjek kaq shumë aspekte të përgatitjes sime, menaxherin tim, vëllain tim dhe gjithashtu motrën time Erika (specialiste e kërcimit së larti), e cila qëndroi në shtëpi sepse pret një fëmijë. Ka qenë një vit magjik, por dua t'u them të gjithë atyre që më ndjekin se ky është vetëm fillimi", tha ai mes të tjerash.

 

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?