Mbretëria e Bashkuar në partneritet me Italinë do të organizojnë konferencën e 26-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike. COP 26 është konferenca e cila do të zhvillohet nga data 1-12 nëntor në Glasgou të Skocisë, ku do të marrin pjesë edhe vendet anëtare të G7 dhe G20, ku në qendër të diskutimeve do të jetë ndryshimi i klimës dhe ndryshimi i humbjes së biodiversitetit. Ky aktivitet do të paraprihet nga një tjetër i zhvilluar në Milano, në datat 30 shtator-2 tetor 2021. Koordinatorja e Përhershme e OKB në Shqipëri, Fiona McCluney si dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci dhe ambasadori britanik Duncan Norman përmes një deklarate të përbashkët theksojnë se ky është viti që duhet të bëhen gjërat si duhet dhe është koha e duhur për të vepruar që të mbrojmë brezat e ardhshëm. Ky mesazh i diplomatëve vjen në ditën Botërore të Mjedisit.
Partneritet për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për suksesin e COP26, deklaratë e Përbashkët në Ditën Botërore të Mjedisit nga: Duncan Norman; Fabrizio Bucci dhe Fiona McCluney:
Bota është në një emergjencë klimatike dhe ndryshimet klimatike përbëjnë rrezikun më të madh me të cilin përballemi të gjithë. Konferenca e ardhshme e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26), nën organizimin e Mbretërisë së Bashkuar në partneritet me Italinë në nëntor të këtij viti në Glasgow, do të mbledhë mbi 30,000 krerë shtetesh, ekspertë të klimës dhe aktivistë në një forum për të arritur një marrëveshje kritike për trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Konferenca do të përqendrohet në katër qëllime kryesore: sigurimi i ‘zeros neto’ globale deri në vitin 2050 dhe arritshmëria e kufizimit prej 1.5 gradë Celsius; mbrojtjen e komuniteteve dhe habitateve natyrore; mobilizimimin e financave; dhe të punuarit së bashku për të finalizuar Rregulloren e Parisit dhe kthimin e ambicies në veprim duke siguruar bashkëpunimin midis qeverive, bizneseve, partnerëve socialë, shoqërisë civile, akademisë dhe studiuesve.
Para 30 korrikut, të gjitha vendet duhet të paraqiten me kontribute të reja ambicioze të përcaktuara në shkallë vendi, dhe angazhime për ‘zeron neto’. Të gjitha vendet duhet gjithashtu të paraqesin Komunikimet për Përshtatje dhe t'i bashkohen Koalicionit të Veprimit të Përshtatjes në mënyrë që të mund të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje për disa nga ndikimet më sfiduese të ndryshimeve klimatike. Duke punuar ngushtë për të zbatuar Marrëveshjen historike të Parisit, ne jemi të përkushtuar të arrijmë ‘zero neto’ shkarkime të gazeve me efekt serrë jo më vonë se 2050 dhe të sigurojmë suksesin e saj duke ulur shkarkimet tona dhe bashkëpunuar me partnerët tanë globalë, përfshirë Shqipërinë.
- Bashkimi Evropian është angazhuar për neutralitetin e klimës në 2050 dhe synon të rrisë ambiciet e tij klimatike duke ulur shkarkimet e tij me të paktën 55% deri në vitin 2030 krahasuar me 1990;
- Mbretëria e Bashkuar është zotuar të ulë shkarkimet e karbonit me 78% deri në vitin 2035.
Duke mirëpritur vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për miratimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike dhe punën në vazhdim e sipër për një kontribut të përcaktuar kombëtar më ambicioz, ne pranojmë që Shqipëria është një vend shumë i prekshëm nga efektet e ndryshimeve klimatike. Edhe pse shkarkimet kombëtare të Shqipërisë përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të shkarkimeve globale, ne kujtojmë rëndësinë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbajtur kufizimin prej 1.5 gradë Celsius, përfshirë përmes angazhimeve për shkarkime ‘zero neto’ deri në vitin 2050.
Arritja e 'zeros neto' nënkupton rritjen e ambicies së planeve të vendit për dekarbonizimin, zëvendësimin e lëndëve djegëse fosile me burime të ripërtëritshme të energjisë, diversifikimin e paketes së energjisë, përmirësimin e efikasitetit të energjisë në përputhje me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe vazhdimin në rrugën e tranzicionit të energjisë, të theksuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë të vendit. Kjo do të thotë heqje dorë nga përdorimi i mjeteve ndotëse të transportit dhe të kalimin drejt transportit të qëndrueshëm, mbrojtjes dhe rigjenerimit të pyjeve dhe ekosistemeve kritike, forcimin e qeverisjes mjedisore dhe kalimin drejt bujqësisë së qëndrueshme. Kjo do të thotë marrje përgjegjësie për të siguruar tranzicionin e gjelbër të industrisë, nga të qenit shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike tek shndërrimi në zgjidhje. Kjo do të thotë përputhje e ambicies së shtuar me një sasi të barabartë veprimi, duke siguruar që institucionet e vendit të jenë në lartësinë e detyrës së promovimit dhe zbatimit të dekarbonizimit të thellë.
Në këtë Ditë Botërore të Mjedisit, ne sjellim në vëmendje nevojën për t'u përshtatur për të mbrojtur komunitetet dhe habitatet natyrore. Në këtë drejtim, duke riafirmuar shqetësimin tonë për rishikimin e fundit të kufijve të zonave të mbrojtura, ne nxisim Shqipërinë të rishikojë studimin e botuar mbi zonat e mbrojtura duke përfshirë komunitetin shkencor dhe palët e tjera të interesit, në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së, ligjin vendor dhe ndërkombëtar. Për më tepër, ne rekomandojmë fuqimisht ndërtimin e qëndrueshmërisë së klimës dhe adresimin e boshllëqeve të vazhdueshme gjinore në përgjigjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Rimëkëmbja prej Covid-19 ofron një mundësi të rrallë për të ndryshuar mënyrën e të bërit biznes dhe për të lidhur financat me veprimet klimatike. Prosperiteti dhe veprimi për klimën shkojnë krah për krah. Dëshmitë tregojnë se ndryshimi i pakontroll i klimës mund të shkaktojë pasoja shkatërruese ekonomike, ndërsa rritja e ekonomisë së energjisë së pastër paraqet mundësinë më të rëndësishme të rritjes ekonomike të shekullit të 21-të. Shqipëria duhet të sigurojë që ndryshimet klimatike të integrohen në strategjitë e rimëkëmbjes prej Covid-19 në përputhje me një rritje ekonomike që është e qëndrueshme për mjedisin dhe drejtohet nga energjia e rinovueshme, vendet e gjelbra të punës dhe teknologjitë e gjelbra, veçanërisht në sektorë strategjikë si bujqësia, industria, energjia, transporti , turizmi, menaxhimi i ujit dhe mbetjeve.
Ne besojmë fuqimisht se të rinjtë kanë rol themelor për rritjen e ndërgjegjësimit për klimën, ruajtjen e natyrës, përshpejtimin e tranzicionit të energjisë së rinovueshme dhe miratimin e praktikave miqësore me mjedisin, dhe kriza e klimës në të vërtetë është një krizë e të drejtave të fëmijëve. Kjo është arsyeja pse vendosëm ta përqendronim takimin para-COP "TëRinjtëPërKlimën" në Milano në pjesëmarrjen e të rinjve dhe të rejave në proceset e vendimmarrjes.
Të gjithë duhet të veprojmë tani. Ne duhet të demonstrojmë veprime përtej fjalëve para se të jetë vonë. Kjo është mënyra e vetme që ne mund të përmbushim angazhimet e vendosura në Marrëveshjen e Parisit 2015. Vendimet që marrim tani do të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë tonë për të mbrojtur planetin për veten tonë dhe për brezat e ardhshëm.