Itali- Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi u kap me mbi 2 kg kokainë të pastër në banesë.
Dy blloqe të mbushura me lëndë narkotike dhe me vlerë tregu rreth 180 mijë euro në treg. Ato u gjetën të fshehura në dyshekun e shtëpisë të të riut që u arrestua.
Operacioni u krye nga Policia e Ravena, pak ditë më parë, në një zonë të Solarolos. Shqiptari ishte person me precedentë penalë të skeduar nga policia italiane.
Ndërhyrja u bë pas denoncimeve të banorëve të zonës për lëvizje të dyshimta rreth shtëpisë ku banonte i dyshuari.
Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga efektivët, u identifikua vendi ku jetonte i riu dhe pasi u kap dhe u identifikua, i është nënshtruar kontrollit.
Shqiptari është shfaqur tepër nervoz gjatë kontrollit, duke rritur dyshimet te efektivët. I riu kishte hapur një xhep të dyfishtë brenda dyshekut ku flinte, ku u gjetën edhe mbi 2 kilogramë kokainë, shkruan "Il Resto del Carlino".
22-vjeçari pas arrestimit u dërgua në burgun Port'Aurea në Ravenna, me urdhër të Prokurorisë, teksa po hetohet edhe për rrjetin e bashkëpunëtorëve, kryesisht furnizuesve të dorës së parë dhe shpërndarësve me doza.