Italo Calvino, bota e mjeshtrit italian në ilustrime! Në Qendrën e Librit ekspozita me 31 punime të përzgjedhura nga 500 artistë nga e gjithë bota

18 Tetor 2023, 17:07| Përditesimi: 18 Tetor 2023, 17:15

  • Share

Është një rrugëtim vizual, që të shpie në botën fantastike të shkrimtarit dhe gazetarit Italo Calvino, ku mendimi është përkthyer në imazh.

“Kjo është një ekspozitë e vogël, por me shumë vlera”, tha drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

Në ekspozitën “Përsosmëri italiane”, 31 ilustrime të ngacmojnë kërshërinë drejt përrallave, romaneve e teksteve të shkrimtarit italian.

“Italo Calvino ishte një shkrimtar vizionar, dhe kjo ekspozitë ndihmon më shumë për të promovuar vlerat e tij letrare, por edhe idetë e tij përtej letërsisë”, shprehet drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.

Janë përzgjedhur nga juria e Panairit të Librit në Bolonja, nga 500 punime të ilustruesve nga e gjithë bota. Java e Gjuhës Italiane e Tetori i Librit, i sjell në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së tij.

“Përpos ekspozitës, gjatë këtij muaji do të diskutohet gjithashtu me të rinjtë për librat e Calvinos”, shtoi Bardhyli.

“Panairi i Librit në Bolonja, është nga më të rëndësishmit për të rinjtë, dhe e ka bërë këtë konkurs, prej nga u zgjodhën edhe këto ilustrime  të frymëzuara nga rrëfimet e tij”, shprehet Ruggera.

E çelur nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Qendrën e Librit dhe Ambasadën Italiane, ekspozita qëndron e hapur deri në 31 tetor.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?