Ithtarët e Enver Hoxhës/ Ahmetaj: Janë marionetë, s’duhen lejuar! Beqiri: Liria është liri! Karaj: Askujt nuk i prishin punë! Muça: Në Shqipëri s’ka frymë komuniste

29 Nëntor 2022, 21:36| Përditesimi: 30 Nëntor 2022, 06:55

  • Share

Në Ditën e Çlirimit, si çdo vit nostalgjikët e diktatorit Enver Hoxha shkuan për homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë duke përkujtuar këtë ditë. Me parulla komuniste, shallin e pionierit në qafë dhe me foton e diktatorit Enver Hoxha, ata kryen homazhe.

Ithtarët e Enverit u komentuan në Report Tv në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga. Bislim Ahmetaj, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD e cilësoi 28 nëntorin si një nga ditët më të zeza të kombit pasi flamurit shqiptar iu vendos ylli komunist. Duke bërë krahasim me Gjermaninë, u shpreh se vendi nuk po zhvillohet pasi shfaqen ende simbolet e Enver Hoxhës.

Ndërsa avokati Idajet Beqiri u shpreh se të gjithë duhet të lihen të lirë të kujtojnë këdo që kanë dëshirë pasi me kalimin e viteve do të veniten.

Bislim Ahmetaj: 28 nëntori është nga ditët më të zeza të kombit. Flamurit i është vënë ylli me 5 cepa. Pra ka humbur lirinë dhe vetë flamuri si simbol. Sundim më të egër se sa ai komunist nuk përmendet në historinë e këtij vendi. Vërtetë e kanë humbur luftën Gjermania e Italia, por kanë fituar lirinë. Është një nga ditët më të zeza të Shqipërisë deri në vitet ’90. Nuk është festë por duhet mbajtur zi. Ithtarët e Enverit janë një maskë, marionetë. Te varrezat e Dëshmorëve nuk duhen lejuar. Gjermania është zhvilluar duke dënuar simbolet e Hitlerit ndërsa ne shkojmë poshtë duke shfaqur simbolet e Hitlerit tonë.

Idajet Beqiri: Është një nga ditët më të shënuara pasi për herë të parë është bërë luftë që e ka fituar me forcat e veta, ky komb nxori 70 mijë luftëtarë partizanë që luftuan kundër nazi-fashistëve. Ishte fitore historike dhe na renditi në krahun e koalicionit më të madh botëror. Nëse s’do ishte ajo fitore dhe do kishim bërë gabimin fatal që të bashkoheshim me nazi-fashistët, s’do kishim shtet shqiptar e do vuanim si Kosova, do ishim si Moldavia që do na përthithte dikush tjetër. Pas viteve ’90 është temë e kapërcyer nëse duhet ndaluar apo jo. Liria është liri, nëse 5 veta duan të shkojnë të kujtojnë komandantin, le të shkojnë. Po i le të lirë, nëse vjet ishin 100, këtë vit 50 e vitin tjetër më pak.

Ndërsa juristi Leonard Karaj u shpreh se nuk ekziston një ligj që ndalon Partinë Komuniste ndaj nuk përbën aspak problem nëse disa persona e cilëson Hoxhën si hero legjendar. Nga ana tjetër gazetari Flogert Muca u shpreh se nuk ka frymë komuniste në Shqipëri.

Leonard Karaj: Një gjë që nuk ndalohet, lejohet. Unë refuzoj të futem në terma historikë. Nëse Europa apo Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, e shpalli me ligj ndalimin e Partisë Komunistë, në Shqipëri nuk ndodhi dhe pse mund të kemi kaluar diktaturën më të egër. Ligjërisht ata njerëz s’më prishin punë nëse dalin e thonë Enver Hoxha ishte hero legjendar.

Flogert Muça: Ajo që tentohet të thuhet çdo vit është që ngatërrojnë diktaturën me luftën. Lufta është tjetër gjë, çfarë pasoi është tjetër gjë. Se si e ka përdorur diktatura atë gjak është tjetër hesap, por të thuash nuk ka pasur luftë s’mundet. Lufta që kemi bërë ne ka qenë modeste në luftën e madhe kundër nazi-fashizmit. Ne kemi treguar nga anojmë, që jemi kundër nazi-fashizmit. Lufta jonë modeste ishte 10% e njerëzve që kishin marrë armët. Çfarë ka bërë Enver Hoxha mbi këtë gjak, vrastare dhe e gabuar. Nëse ka diçka që pëllet këtu është se nuk ka frymë komuniste.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?