Gjithnjë e më shumë migrantë përpiqen nga Greqia përmes Shqipërisë të kalojnë në Europën Perëndimore. Shumë prej tyre raportojnë për kthime ilegale (pushbacks) në kufirin grek, me pjesëmarrjen e Frontex-it.
Siriani Ali al-Ebrahim është 22 vjeç. Në vitin 2018 ai iku për shkak të luftës në Mandbixh, një qytet në afërsi të Alepos, që atëherë kontrollohej nga kurdët, sepse donin ta detyronin të merrte pjesë në luftë. Fillimisht u përpoq të zinte një vend në Turqi. Kur erdhi në Antakya, qyteti i parë në afërsi të kufirit sirian, autoritetet turke e regjistruan, por pastaj pa shpjegim e kthyen në Siri, rrëfen ai me një anglishte të pastër. Një nga pasojat është, se nuk i lejohet më hyrja legale për 5 vjet në Turqi. Megjithatë ai u përpoq sërish, kësaj here me objektiv Greqinë. Me gomone ai arriti në ishullin grek, Leros dhe aplikoi për azil, që iu refuzua me arsyen se Turqia është një vend i tretë i sigurtë. Por Ali al-Ibrahimi nuk shkoi në Turqi, as në Siri, e kjo për autoritetet greke nuk ka rëndësi. "Kryeministri i ri grek, Kyriakos Mitsotaiks është shumë i rreptë, kur vjen puna tek migrantët. Prandaj vendosa të shkoj në Shqipëri", thotë ai.
Refugjati rrëfen, se bashkë me pesë vetë të tjerë në shtator 2020 udhëtoi me autobus për në Janinë. Nga atje grupi mbërriti me këmbë në kufirin shqiptar. Policinë greke nuk e pamë, thotë Aliu. Por në Shqipëri ata u ndalën nga Frontex-i. I pyetur, se nga e kuptoi që ishin nëpunës të Frontex-it, al-Ibrahimi thotë. "I kam dalluar në shiritin që mbanin në krahë." Nëpunësit e Frontex mbajnë një shirit blu me flamurin europian.
Për 5000 euro në Austri
Ail al-Ibrahimi rrëfen, se ai dhe migrantë të tjerë kishin pyetur për azil tek autoritetet shqiptare, por iu ishte thënë, se për shkak të pandemisë së Coronës nuk mund të fillohej një procedurë e re azili. Pas kësaj i nisën në Greqi, pa i vënë në dijeni autoritetet greke, thonë refugjatët. Në tentativën e dytë për të udhëtuar në Shqipëri, siriani pati më shumë fat. Përmes Tiranës, ai kaloi në Kosovë, pastaj në Serbi, në kampin Sombor pranë kufirit hungarez, raporton ai në bisedë me Deutsche Wellen. Nga aty ai dëshiron të hyjë në Austri, por trafikantët janë shumë të shtrenjtë: 5000 euro duhet të paguash që të hysh në territorin austriak, sipas tij.
Arrest në vend të azilit
Britanikja Hope Barker i njeh raportime të tilla. Ajo koordinon projektin "Wave Thessaloniki" në metropolin verior grek Selanik, ku migrantët përgjatë itinerarit të Ballkanit gjejnë ushqim, kujdes mjekësor dhe këshillim ligjor. Selaniku ka qenë për një kohë të gjatë një strehë e sigurtë, thotë Barker për DW, por në vitin 2019 erdhi në fuqi qeveria konservatore. Në janar 2020 hyri në fuqi ligji që e ashpërsoi qëndrimin ndaj migrantëve. "Në vend që t'u jepnin dokumente azilkërkuesve, ata tani mund të qëndrojnë në gjendje arresti për 18 muaj, pa u marrë në shqyrtim rasti." Ky arrest mund të zgjatet edhe 18 muaj të tjerë.
Pushbacks nga punonjësit e Frontex?
Jo vetëm drejt e në kufi ka pasur kthime ilegale -të ashtuquajturat "pushbacks", por edhe në brendësi të vendit, thotë Barker. Nga frika tani migrantët i mënjanojnë autoritetet greke. Ndihmësit e refugjatëve vënë re se ka "shumë kthime ilegale" të migrantëve edhe në kufijtë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë janë shtuar të dhënat, për një pjesëmarrje të punonjësve të Frontex-it. "Ne kemi raportime dëshmitarësh, ku njerëzit tonë, se punonjësit kanë folur gjermanisht, dhe se kanë në krah një shirit me flaumrin e BE", thotë Hope Barker.
Frontex nuk i pranon akuzat
Për shkak të situatës së koklavitur në kufijtë grekë, është shumë e vështirë të vërtetosh kthimet ilegale të migrantëve. "Ne e dimë që Frontex është aktiv në Shqipëri", thotë Barker. "Ne e dimë që ata janë në Evros (lumi në kufirin grek, ose kufirin bullgaro-turk) dhe e dimë që ka përditë pushbacks. Të mendosh, se ata nuk dinë asgjë për këtë dhe nuk janë pjesëmarrës është e pabesueshme."
Deutsche Welle kontaktoi zëdhënësin e Agjencisë për Mbrojtjen e Kufijve të BE, Frontex dhe mori këtë përgjigje: "Frontex i ka verifikuar disa nga akuzat dhe nuk ka gjetur prova të besueshme, që i mbështesin ato." Në të njëjtën kohë jemi "të vendosur të respektojmë standardet më të larta në kontrollet kufitare në kuadër të misioneve tona".
Pse e mbron Frontex-i kufirin e jashtëm me BE nga ana shqiptare, pra një vend jo anëtar? Zëdhënësi i Frontex thotë për DW, se qëllimi është "të mbështesim mbrojtjen kufitare, të ndalim migracionin e parregullt si edhe kriminalitetin ndërkufitar, mes tyre edhe trafikimin e migrantëve, terrorizmin, si edhe të identifikojmë rreziqet e mundshme dhe kërcënimet." Po ashtu më tej theksohet se "bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është një prioritet i Frontex-it. Agjencia i mbështet ato të ruajnë standardet e BE dhe të kenë praktikat më të mira në drejtim të administratës së kufijve dhe sigurisë." Ia vlen të hedhësh një sy tek ana greke e kufirit. Nëse në kufirin greko-turk sheh kudo polici dhe ushtri të mbështetura nga nëpunësit e Frontex-it, në malet mes Shqipërisë dhe Greqisë sheh rrallë uniforma. Mes migrantëve që duan të kalojnë përmes Greqisë në Europën Perëndimore, ky itinerat konsiderohet i sigurtë.
Rruga drejt Perëndimit
Shumë migrantë nga Selaniku shkojnë në Kastoria, një qytezë e bukur rreth 30 km larg kufirit me Shqipërinë. "Aty le të na marrë policia e të na çojë në kufirin shqiptar", thotë Zakarias në qendrën e refugjatëve në Selanik. Ai është marokan dhe ka ardhur nga Turqia në Greqi. Fjalë të tilla qarkullojnë shpesh mes migrantëve. Në të shumtën e rasteve ato kanë të bëjnë pak me të vërtetën. Megjithatë pasdite migrantët i sheh të ulur në autobus në drejtim të kufirit, mes tyre edhe 46 vjeçari, Saleh Rosa nga Maroku. Ai ka një vit në Selanik, për një kohë të gjatë nuk kishte vendbanim. "Greqia është një vend i mirë, por nuk mund të jetoj këtu." Ai dëshiron përmes Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Hungarisë të kalojë në Europën Perëndimore.
Kontrolle të çuditshme policore
Pak para mëbrritjes në Kastoria, policia e ndal autobusin. Në parkim shikon makina policie dhe nëpunës të saj. Dy persona pa uniformë hipin në autobus dhe thonë, se janë policë. Pa treguar letërnjoftimin e punës, ata përqëndrohen tek të huajt që janë në autobus dhe i marrin me vete Salehun, Zakariasin dhe shoqëruesit e tyre. Aty rreth orës 23:00 migrantët na dërgojnë një mesazh në whatsapp dhe vendqëndrimin përmes google-it. Ata thonë, se të pauniformuarit i kanë çuar në një vend 15 kilometra larg kufirit me Shqipërinë. Më vonë në një takim në Tiranë, Saleh Rosa përsërit, variantin e tij, se nëpunësit nuk ua kanë kontrolluar letrat.
Rrëfime të ndryshme
Të pyetur nga Deutsche Welle, qendra përgjegjëse e policisë e konfirmon kontrollin e policisë dhe ekzistencën e dy nëpunësve të pauniformuar. Por varianti i tyre dallon shumë nga ai që na paraqitën marokanët: Kemi dashur të sqarojmë, nëse personat qëndronin legalisht në Greqi. Pasi kjo është vërtetuar, ata janë lënë sërish të lirë.
Por sipas të dhënave të migrantëve, vetëm Saleh Rosa qëndronte legalisht në Greqi. Të tjerët nuk janë kontrolluar. Situata është e vështirë, sepse në të gjithë Greqinë për shkak të pandemisë ka edhe ndalim të lëvizjes. Vetëm në raste të veçanta mund të kalosh nga një rajon në tjetrin. Pra edhe sikur të kishin dokumente të rregullta, migrantët duhet të kishin pasur ndonjë lloj gjobitjeje. Por për këtë policia nuk kthen përgjigje./ DW