Enno Bozdo në Report Tv

Politikë

Iu bashkua 'Iniciativës Demokratike', Enno Bozdo: PD në krizë të thellë, aksion që do të kontribuojë në parti! A do ta pranojë Basha? S'i marr leje askujt për të bërë opozitë

28 Shtator 2021, 18:13| Përditesimi: 28 Shtator 2021, 18:16

  • Share

Aksion që do të kontribuojë për PD e ka konsideruar Enno Bozdo 'Iniciativën Demokratike', duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një fraksion brenda partisë që mund t'i përçajë edhe më tej demokratët. I ftuar në "Report Tv", Bozdo, i cili iu bashkua kësaj iniciative të Fatbardh Kadillit, tha se ata do të merren me çështje që realisht shqetësojnë shoqërinë.  

Sipas Bozdos, hallet e partisë nuk i shërbejnë shoqërisë, duke iu referuar konfliktit Basha-Berisha, teksa shtoi se PD ndodhet në krizë të thellë dhe se ka nevojë për një mënyrë të re të të bërit opozitë.

"Ide e vjetër e një grupi figurash të larta të PD, njerëz me eksperiencë të gjatë në politike. Një grup njerëzish që duan të kontribuojnë pak më ndryshe për PD duke sjellë afër sajë idetë dhe njerëzit që për 1 mijë arsye nuk inkuadrohen dot në parti. Është një aksion brenda PD që kontribuon për PD, por në një mënyrë të palodhur. Ofrojmë idetë tona, mundësi për ta afruar politikën te shoqëria. Problemi kryesor sot që përjeton shoqëria është se është e shkëputur nga politika. Shoqëria kërkon zgjidhje të reja, aksione të reja politike., ne do mundohemi  ta bëjmë një gjë të tillë.  PD ndodhet në një krizë të thellë, por besoj se lajmi i sotëm mund të gëzojë një pjesë të mirë të demokratëve që mendojnë se vlera kryesore qëndron te opozitarizmi. Ne duam të shfrytëzojmë një hapësirë që ka lidhje me marrjen e talenteve dhe ideve më të mira nga shoqëria dhe tja ofrojmë PD për kauza e saj. Do merremi me kauza që realisht shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Problem tjetër është burokratizimi i strukturës, partia nuk vepron vetëm me urdhra. PD sot duhet të afrojë sa më shumë njerëz", tha ai.

I pyetur nëse kreu i PD-së, Lulzim Basha do ta pranojë apo jo këtë iniciativë, Bozdo theksoi 'nuk i marr leje askujt për të qenë opozitar".

"Nuk i marr leje askujt për të qenë opozitar. Besoj Basha do të jetë njohur nga media për këtë iniciativë. Opozita nuk mund të jetë monopol i një partie dhe strukture të vetme. Jo vetëm ata kanë të drejtë të bëjnë opozitë. Nuk është parti brenda partisë, vetëm një ide sesi mund ta bëjmë ndryshe këtë. Është një fraksion kulturor në mënyrën se si ti e percepton politikën. I ftoj të tëra ata që duan të kontribuojnë në këtë rrugë, edhe njerëz të shoqërisë civile. Ne duam të ngrejë kauza të drejta dhe t'i çojmë deri atje ku propozohen ligje apo ndryshime ligjore. Opozita nuk është e Bashës e as Berishës. Nuk është copëtim i PD, por hap një derë të re të konceptimit të politikës", theksoi ai.

Sipas Bozdos, aksioni i kësaj iniciative do të jetë gjithçka që ka lidhje me opozitën dhe shoqërinë, duke tentuar të afrojnë në PD njerëz me vizione të reja.

"Aksioni ynë do të jetë gjithçka që ka lidhje me opozitën dhe shoqërinë, do merremi me çështjet e vërteta që shqetësojnë qytetarët, me Tiranën, arsimin, ekonominë. Do sjellim në PD njerëz që nuk duan, apo nuk mund të inkuadrohen në PD. Këtë do e realizojmë nëpërmjet organizimeve, debateve, tryezave rrumbullake. Kjo është ta ofrosh shoqërinë te politika dhe PD te shoqëria. Vendi ka nevojë për një opozitë, është çasti që ne të projektojmë një opozitë tjetër. Kam qenë gjithmonë kritik sesi është organizuar opozita. Me modelin aktual të ngritur nga Basha, PD nuk shkon atje ku demokratët e kërkojnë. Duhet të eksplorojmë mënyra të reja. Duhet të shikojmë se përse njerëzit nuk besojnë te PD", shtoi Bozdo.

Fatbardh Kadilli prezantoi sot "Iniciativën Demokratike", një grupim që sipas tij, do të bëjë opozitën e vërtetë. Kësaj iniciative i janë bashkuar anëtari i kryesisë së PD, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Arben Ristani dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?