Sali Berisha shfrenoi gjuhën ndaj Irena Gjokës pasi u paraqit në SPAK për kallëzimin e bërë për shpifje nga gjyqtarja ndaj tij dhe së bijës Argita Berisha. Por teksa në prononcimin me gazetarët iu kërkua që të tërhiqej nga deklarata e tij ndaj gjyqtares, së cilës iu referua si “virgjëreshë e drejtësisë”, Berisha vazhdoi më tej.
Berisha iu drejtua gazetares Klodiana Lala se sipas logjikës së saj një grua që tradhton nuk mund të quhet tradhtare apo që vjedh s’mund të quhet hajdute.
“Së pari, sipas kësaj logjike, në qoftë se një grua tradhton, ajo nuk quhet tradhtare. Në qoftë se një grua vjedh, ajo nuk quhet hajdute. Në qoftë se një grua kryen krim, ajo nuk është kriminele. Çfarë mendon ti, se shenjtëria e gruas mund të përdoret për të mbuluar krimet? Përkundrazi, qenia grua përbën një standard moral më të lartë për të qëndruar më larg krimit. Dhe ato të cilat turpërojnë gruan, turpërojnë gruan dhe njeriun. Sepse të dalësh dhe të thuash se nuk jam dënuar ndonjëherë, në një kohë kur ekziston me vulë apostile dokumenti i dënimit, ke fshehur një krim.
Të gënjesh në shtet që nuk jam dënuar, ke kryer një krim. Të parat që duhet të distancohet nga ky soj grash, që të mos mbiftë në shtet, jo më në shtëpi, duhet të jenë gratë. Gratë kanë pa diskutim standardet më të larta, nuk ka diskutim këtu dhe e meritojnë, por kur tejkalojnë çdo lloj standardi, ato turpërojnë shumë keq gjininë e tyre në radhë të parë.”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Kallëzimi i Gjokës për fyerje, Berisha pyetet në SPAK dhe egërson sulmin ndaj gjyqtares: Mashtruese ordinere, duhej të ishte në burg
Xh.D/r.k./ReportTv.al