Politikë

Iu vodhën votat brenda partisë në Durrës, Kalaja padit KAS-in në Kolegj: Fshiu të dhënat, nuk hapi mbi 200 kuti për të cilat mori vendim! Mandatet mund të përmbysen

11 Korrik, 14:19| Përditesimi: 11 Korrik, 15:48

  • Share

Kandidati i opozitës, PD-ASHM për qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Aulon Kalaja, pretendon se po të numërohen të gjitha kutitë që nuk u hapën qëllimisht nga KAS dhe KQZ, duke fshirë të dhënat e vendimit që morën për 290 kuti dhe hapën vetëm 152 prej tyre, rezultati mund të sjellë ndryshim mandatesh brenda partisë.

Së bashku me avokatin e tij Erald Aga, i përfaqësuar nga Partia e Legalitetit si mbështetje politiko-juridike, ai iu drejtua sot Apelit Administrativ me një padi në Kolegjin Zgjedhor. Kalaja kërkon rrëzimin e vendimit të datës 7 korrik të KAS-it, që rrëzoi kërkesën e tij për rinumërim të të gjitha kutive të votave për kandidatët në Durrës dhe rinumërimin e tyre.

Kalaja thotë se ka prova dokumentare që do i dorëzojë dhe nëse kërkesat e tij për pavlefshmëri dhe rinumërim nuk merren parasysh, ai do e vijojë betejën e tij në Kushtetuese dhe Strasburg.

Kalaja thotë se KAS vendosi 290 kuti për hapje në qark, që me të diasporës bëheshin 365, por në fund i fshiu të dhënat dhe hapi vetëm 152 kuti, pasi pa se diferenca u ngushtua me mbi 100 vota në ato që u hapën, duke iu afruar prokurorit të shkarkuar nga vetingu, Arjan Ndoja. Ky i fundit kishte përfituar një numër të madh votash të pamerituara, rreth 90-të, kurse Kalasë i ishin hequr padrejtësisht mbi 100 vota që iu shtuan.

Diferenca tani është ngushtuar ndjeshëm mes tyre, teksa Ndoja mbante fillimisht një distancë me 1 mijë vota nga Kalaja. Kandidati thotë se rinumërimi i mbi 300 kutive të tjera në qark do të çojë te përmbysja e rezultatit, pasi ka devijime dhe vjedhje masive të votës së tij brenda partisë.

Aulon Kalaja u shpreh sot (11 korrik) para Kolegjit Zgjedhor, pak pasi dorëzoi padinë:

“Kam në duar disa padi, që do i dorëzojmë sot në Gjykatën e Apelit. Jemi në afatin e fundit, pasi KQZ dhe KAS nuk ka zbardhur vendimin. Ka qarkulluar një shkrim sikur unë nuk kam shkuar në Kolegjin Zgjedhor, ja ku jemi në Kolegj. Unë nuk tërhiqem. Falenderoj mbështetësit e mi. Kemi qenë edhe më parë me avokatin nëpërmjet Partisë së Ballit Kombëtar, për çështjen time. Unë pres vendim për legjitimitetin tim zgjedhor dhe do shkoj jo vetëm në Kolegj, por deri në Strasburg. KAS vendosi hapjen e pjesshme, për 290, më vonë i ka fshirë të dhënat në KQZ i ka kthyer në 154 dhe më pas ka fshirë prapë të dhënat duke e bërë me 152 kuti. Edhe KQZ e thotë qartë se janë 365 kuti me gjithë diasporën në total, nga 493 kuti. Vendosën për 290 dhe hapën vetëm 152 kuti, ku u gjetën edhe deri në 43 vota të vjedhura në kuti. Diferenca ime zbriti në 105 vota, unë jam krenar, me moral të lartë, jo vetëm nuk kam vjedhur vota, por më kanë vjedhur vota, ndaj dua të hapen edhe kutitë e tjera të mbetura. Vetëm në 8 kuti të tjera që s’u hapëm por kemi filmime, lëvizin 23 vota, po në mbi 300 kuti të tjera? Nëse KAS e rrëzon përsëri, në do bëjmë të tjera padi”.

Kurse avokati Erald Aga, tha:

“Vendim i pabazuar në ligj, tërësisht absurd i KAS-it nga ana juridike. Do i kërkojmë Kolegjit legjitimimin e Aulon Kalasë dhe të bëjmë zbardhjen se si u fsheh Auloni nga ankimimi i tij dhe u bë kalimi te Partia e Legalitetit, ku duhet të ishin të dy në proces. Tjetra kërkojmë rinumërimin e të gjitha kutive të qarkut Durrës, pasi në fillim tha se do i hapnin dhe më pas vendosi jo. Do kërkojmë shfuqizimin e vendimit të KAS dhe KQZ, të shikohen pamjet filmike dhe rezultati i kutive të tjera”.

Ora 15:46
Partia Demokratike ankimon në Kolegjin Zgjedhor rezultatet e qarqeve Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan

1750827980_seliaepd.jpg

Edhe Partia Demokratike ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor qarqet Tiranë, Durrës, Fier Elbasan, përvec padisë më vetë të bërë nga Aulon Kalaja.

Por këtë rrugë PD e ka provuar në Kolegj edhe 8 herë të tjera për 11 majin, dhe ka dështuar. Koelgji ka lënë në fuqi zgjedhjet e 11 majit për 8 zonat e tjera zgjedhore duke shuar shpresat e PD-së për shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme.

Opozita ngul këmbë se më 11 maj u zhvillua një farsë elektorale, ku zgjedhjet u manipuluan, pasi PS përdori administratën dhe bandat për të ruajtur pushtetin.

Provat e paraqitura më herët nga PD, në Kolegj dhe KAS nuk i bindën instancat ankimuese, të cilat në të gjitha rastet i kanë rrëzuar demokratët.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?