Foto ilustruese

Izolimi i katërt kombëtar në Austri përfundon të dielën, por jo për të pavaksinuarit

8 Dhjetor 2021, 16:25| Përditesimi: 8 Dhjetor 2021, 16:30

  • Share

Izolimi i katërt kombëtar në Austri si pasojë e pandemisë, do të përfundojë të dielën por në izolim do të mbesin qytetarët e pavaksinuar, njoftoi sot kancelari i shtetit. Kancelari, Karl Nehammer tha se përfundimi i izolimit do të nënkuptojë hapje shumë të kujdesshme, duke treguar se disa masa, sikurse mbajtja e maskës në transport publik, brenda dyqaneve apo hapësira publike, do të mbetet në fuqi edhe për të vaksinuarit ose ata që u shëruan nga COVID-19.

Po ashtu në vend do të hyjë në fuqi ora policore nga ora 23:00 për restorantet dhe numri i njerëzve që do të lejohen të ndjekin ngjarjet kulturore do të jetë i limituar. Masa më të ashpra do të zbatohen varësisht nga rajonet sidomos ato të prekura më shumë nga pandemia, shtoi Nehammer.

Ai theksoi se qytetarët e pavaksinuar do të mund të përfundojnë izolimin menjëherë pasi të marrin vaksinën, por pranoi se “ka shumë punë që të bindën ata të cilët ende nuk janë vaksinuar”.

“Izolimi për të pavaksinuarit vazhdon. Po ashtu e kuptoj që njerëzit të cilët preken nga kjo ndihen të zemëruar”, tha Nehammer para gazetarëve.

“Njëkohësisht ekziston oferta e shkencës, sepse duke u vaksinuar këto telashe përfundojnë dhe mund të gëzojmë lirinë e përbashkët për të gjithë”, tha ai.

Austria ka përqindje relativisht të ulët të vaksinimit në Europën Perëndimore me vetëm 67.7% të të vaksinuarve. Dhjetëra mijëra persona kanë protestuar për disa ditë rresht në Austri kundër izolimit dhe detyrimit për vaksinim.

Nën masën e izolimit, që filloi më 22 nëntor, qytetarët lejoheshin të dilnin nga shtëpitë për arsye shumë specifike, përfshirë blerjet esenciale apo vizitat te mjeku. Shkollat dhe çerdhet mbetën të hapura, por prindërve u ishte kërkuar të mbanin fëmijët në shtëpi nëse do të kishin mundësi.

Përgjatë izolimit, numri i të infektuarve në nivel vendi ishte përgjysmuar nga 535.6 raste për 100 mijë banorë në 1,100 në ditën kur izolimi hyri në fuqi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?