Gjykata e Lartë e Izraelit ka dalë në përfundimin se qeveria nuk u ka siguruar të burgosurve palestinezë të sigurisë ushqim të mjaftueshëm për mbijetesë dhe ka urdhëruar autoritetet të përmirësojnë menjëherë ushqimin e tyre.
Ky vendim, i dhënë të dielën, është ndër rastet e rralla kur gjykata më e lartë e vendit i ka dalë kundër qeverisë gjatë luftës gati dyvjeçare.
Që prej fillimit të luftës, Izraeli ka arrestuar mijëra persona në Gaza, të dyshuar për lidhje me Hamasin. Shumë prej tyre janë liruar më vonë pa u ngritur akuza, shpesh pas muajsh të tërë paraburgimi.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë raportuar abuzime të rënda në burgje dhe qendrat e ndalimit: ushqim i pamjaftueshëm, mungesë shërbimi shëndetësor, kushte të rënda higjienike dhe dhunë fizike. Në mars, një 17-vjeçar palestinez humbi jetën në një burg izraelit, dhe mjekët përcaktuan se shkaku kryesor i vdekjes ishte uria.
Padia u ngrit vitin e kaluar nga Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI) dhe organizata Gisha, të cilat pretenduan se ndryshimi i politikës së ushqimit, pas shpërthimit të luftës në Gaza, i ka lënë të burgosurit të vuajnë nga kequshqyerja dhe uria.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, që mbikëqyr sistemin e burgjeve, ka deklaruar më parë me krenari se kushtet e të burgosurve palestinezë i kishte ulur në “minimumin që e lejon ligji izraelit”.
Në vendimin e fundit, tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u shprehën se shteti ka detyrim ligjor të garantojë ushqim të mjaftueshëm për një “nivel bazë ekzistence”. Ata vunë në dukje se ka shenja të qarta që furnizimi aktual nuk e plotëson këtë standard, dhe se ekzistojnë “dyshime serioze” nëse të burgosurit ushqehen siç duhet. Për këtë arsye, ata urdhëruan shërbimin e burgjeve të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar ushqim që plotëson kushtet minimale të jetesës.
Ben-Gvir reagoi ashpër, duke akuzuar gjykatën se po “mbron militantët e Hamasit”, ndërkohë që pengjet izraelite në Gaza “nuk kanë asnjë mbrojtje”. Ai theksoi se politika e tij për t’u ofruar të burgosurve vetëm “kushtet më minimale të parashikuara nga ligji” do të vazhdojë pa ndryshim.
Nga ana tjetër, ACRI kërkoi që vendimi të zbatohet menjëherë, duke akuzuar shërbimin e burgjeve se ka “shndërruar burgjet izraelite në kampe torture”.
“Shteti nuk duhet të mbajë njerëzit në uri,” theksoi organizata. “Njerëzit nuk i lënë njerëzit të vdesin nga uria – pavarësisht se çfarë kanë bërë.”
Komente
