Politikani veteran, Isaac Herzog, u zgjodh të mërkurën president i Izraelit, në një kohë që vendin e karakterizon një mungesë e theksuar qëndrueshmërie politike. Parlamenti prej 120 anëtarësh e zgjodhi Herzogun, 60 vjeç, në një votim të fshehtë.
Ai është ish-kryetar i Partisë Laburiste të Izraelit, ndërsa si udhëheqës i opozitës ka garuar kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, por pa sukses.
Ai do të pasojë Reuven Rivlinin, i cili do të mbarojë detyrën muajin e ardhshëm dhe vjen nga një familje e shquar zioniste.
Zgjedhja e tij vjen në një kohë kur partitë opozitare në Izrael janë duke garuar me kohën për të arritur formimin e një koalicioni qeverisës, çka mund t’i jepte fund qeverisjes 12-vjeçare të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Afati i tyre përfundon sonte në mesnatë.
Në vetëm dy vite në Izrael janë zhvilluar katër zgjedhje të përgjithshme duke e lënë vendin në një ngërç politik, ndërsa kryeministri Netanyahu është në gjyq për akuzat korrupsion dhe mashtrim.
Kundërshtarët e tij kanë bashkuar forcat për të formuar një qeveri dhe për ta lënë 71-vjecarin jashtë pushtetit, por ndërsa opozitari, Lapid dhe ekstremisti nacionalist, Bennet kanë arritur të bien dakord për një qeverisje me rotacion mes tyre, ka ende mosmarrëveshje rreth disa emërimeve politike.
Nëse Lapid humbet afatin e mesnatës, vendi pritet të shkojë serish në zgjedhjet e pesta në pak më shumë se dy vjet, dhe Netanyahu do të kishte një shans tjetër për të mbajtur pozicionin e tij.
Një qeveri emergjente u formua vitin e kaluar midis Netanyahut dhe ish-shefit ushtarak Gantz për të luftuar pandeminë e koronavirusit, por shpejt u zhyt në grindje politike dhe qeveria ra në dhjetor. Kjo qeveri mbetet në fuqi si qeveri kujdestare.