Në Izrael po zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, të tretat në 12 muajt e fundit.
Votuesit do të vendosin nëse do t'i japin Kryeministrit Benjamin Netanyahu një mandat të ri, apo do të zgjedhin një drejtim të ri me ish-shefin e ushtrisë Benny Gantz.
Sondazhet përpara ditës së zgjedhjeve tregonin se asnjëra prej partive të kandidatëve nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme për të formuar një koalicion qeverisës.
E njëjta gjë ndodhi në dy zgjedhjet e fundit kur pas disa javë bisedimesh nuk u arrit asnjë zgjidhje.
Zoti Netanyahu vazhdoi të ishte kryeministri i përkohshëm i vendit në periudhën mes zgjedhjeve. Votimet e tanishme zhvillohen vetëm dy javë para se ai të paraqitet në gjyq nën akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.
Zoti Gantz gjatë fushatës së tij tha se Netanyahu është i zhytur në skandal, ndërsa vetë Netanyahu tha se ai është kandidati më i kualifikuar për të udhëhequr vendin në këtë kohë.
Sapo të shpallen rezultatet, Presidenti Reuben Rivlin do të zgjedhë kandidatin që ai mendon se ka më shumë shanse për të formuar një koalicion./VOA