Forcat izraelite kanë ndaluar 19 anije që transportonin aktivistë të huaj dhe ndihma për në Gaza, por 23 anije të tjera vazhdojnë të lundrojnë drejt enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta, thanë të enjten organizatorët e flotiljes. Forcat izraelite përdorën topa uji dhe granata për t'i bindur ata të fiknin motorët e anijeve.
Mes anijeve të ndaluara janë: Adara, All Inn, Alma, Aurora, Captain Nikos, Dir Yassine, Florida, Grande Blu, Hio, Huga, Karma, Mohammad Bhar, Morgana, Otaria, Oxygono, Seulle, Sirius, Spectre dhe Yulara.
Autoritetet izraelite publikuan një video ku tregonin ushtarë që shoqëronin në mënyrë të sigurt aktivistët, mes tyre edhe ambientalisten Greta Thunberg.
“Disa mjete të flotiljes Hamas-Sumud janë ndaluar në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët e tyre po transferohen në një port izraelit,” tha ministria e jashtme izraelite në platformën X (ish Twitter). “Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt.”
Flotilja Globale Sumud, që transporton ilaçe dhe ushqime për në Gaza, përbëhet nga më shumë se 40 mjete civile lundrimi, me rreth 500 parlamentarë, juristë dhe aktivistë.
Flotilja publikoi disa video në Telegram, me mesazhe nga individë në bord, disa prej të cilëve mbanin pasaportat e tyre dhe pretendonin se ishin rrëmbyer dhe çuar në Izrael kundër dëshirës së tyre, duke theksuar se misioni i tyre ishte humanitar dhe paqësor.
Marina izraelite më herët kishte paralajmëruar flotiljen se po afrohej në një zonë lufte aktive dhe se po shkelte bllokadën e ligjshme detare, duke kërkuar që të ndryshonin drejtimin. Izraeli kishte ofruar gjithashtu kanale të sigurta për të dorëzuar ndihmat në Gaza në mënyrë paqësore.
Reagime ndërkombëtare
Ministria e jashtme e Turqisë e quajti “akt terrori” ndërhyrjen izraelite ndaj flotiljes, duke thënë se ajo vuri në rrezik jetën e civilëve të pafajshëm.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, urdhëroi të mërkurën dëbimin e të gjithë delegacionit diplomatik izraelit, pasi dy kolumbianë u ndaluan nga forcat izraelite në flotilje. Izraeli nuk ka pasur ambasador në Kolumbi që nga viti i kaluar.
Petro e quajti ndalimin një krim të ri ndërkombëtar të mundshëm nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, dhe kërkoi lirimin e kolumbianëve. Ai gjithashtu ndërpreu marrëveshjen e tregtisë së lirë të Kolumbisë me Izraelin.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, dënoi të enjten ndalimin e flotiljes nga Izraeli, duke thënë se tetë shtetas malajzianë ishin arrestuar.
“Duke bllokuar një mision humanitar, Izraeli ka treguar përçmim të plotë jo vetëm për të drejtat e popullit palestinez, por edhe për ndërgjegjen e botës,” tha Anwar në një deklaratë. Malajzia është një vend kryesisht mysliman.
Ndalimi i flotiljes nga Izraeli shkaktoi protesta në Itali dhe Kolumbi. Sindikata italiane shpalli një grevë të përgjithshme për të premten, në shenjë solidariteti me flotiljen ndërkombëtare të ndihmave.
Komente
