Izraeli tha sot (2 mars) se ka ndaluar hyrjen e të gjithë ndihmave humanitare në Gaza pas mbarimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, pasi kërkon që ky i fundit të pajtohet me një plan të SHBA-së për një zgjatje të armëpushimit.
Faza e parë e armëpushimit në Gaza, sipas së cilës janë liruar dhjetëra pengje izraelite dhe qindra të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë që nga mesi i janarit, përfundoi një ditë më parë.
Izraelitët duan që faza e parë të vazhdojë - shkëmbimi i pengjeve, të gjallë dhe të vdekur, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndihmave në Gaza. Mendohet se 24 pengje izraelite janë ende gjallë në Gaza, shkruan CCN.
Hamasi ka këmbëngulur për të avancuar në fazën e dytë, duke akuzuar Izraelin për "manipulim të vazhdueshëm" me zgjatjen e tij të propozuar për të mbuluar muajin e shenjtë islamik të Ramazanit dhe festën hebraike të Pashkës, siç propozohet nga i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit tha të dielën: “Me përfundimin e fazës A të marrëveshjes së pengjeve dhe në dritën e refuzimit të Hamasit për të pranuar kornizën Witkoff për vazhdimin e bisedimeve - për të cilat Izraeli kishte rënë dakord - Kryeministri (Benjamin) Netanyahu ka vendosur që që nga mëngjesi i sotëm, të gjitha hyrjet e mallrave dhe furnizimeve në Gaza do të ndalohen.
“Izraeli nuk do të lejojë një armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë. Nëse Hamasi vazhdon refuzimin e tij, do të ketë pasoja shtesë”.
Omer Dostri, një zëdhënës i Zyrës së Kryeministrit, tha të dielën se "asnjë kamion nuk ka hyrë në Gaza këtë mëngjes dhe as nuk do të hyjë në këtë fazë".
"Kollonat e kamionëve të mallrave që shihen tani në rrugën e tyre për në Gaza mbërrijnë në vendkalim vetëm për të parë se ai është i mbyllur dhe se nuk ka hyrje," tha Dostri.
Mustafa Barghouti, udhëheqës i Iniciativës Kombëtare të Palestinës me bazë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, e quajti pezullimin e ndihmës humanitare "një përshkallëzim të rrezikshëm izraelit" që është "në shkelje të marrëveshjes së armëpushimit".
Udhëheqësi i Hamasit, Mahmoud Mardawi, tha në një deklaratë se "rruga e vetme drejt stabilitetit rajonal dhe kthimit të të burgosurve është zbatimi i plotë i marrëveshjes, duke filluar nga faza e dytë".
Hamasi dëshiron që faza e dytë të përfshijë negociatat për një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza, rindërtimin e enklavës, "dhe më pas lirimin e të burgosurve si pjesë e një marrëveshjeje të rënë dakord", tha Mardawi.
“Kjo është ajo për të cilën ne insistojmë dhe nuk do të tërhiqemi prej saj,” shtoi ai.
Hamasi kreu një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 251 të tjerë.
Izraeli u përgjigj me një fushatë ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, gjatë së cilës sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë vrarë të paktën 48,365 njerëz.
Komente

Nuk e kuptoj se cfare bejne organizatat boterore per te drejtat e njeriut ? Si i lejojne ata kriminela te vdesin nje popull per buke
Përgjigju