Izraeli depërton më thellë në Rafah, Hamasi rigrupohet në pjesët e tjera të Gazës

12 Maj, 15:16| Përditesimi: 12 Maj, 15:26

  • Share

Ushtria izraelite nuk ka hequr dorë nga marrja në kontroll e Rafahut, ndërsa po lufton edhe në ato zona ku më parë ishin përballur. Kjo për shkak se militantët e Hamasit, duke shfrytëzuar mungesën e sigurisë në ato pjesë të enklavës për t’i rigrupuar forcat e veta.

Megjithëse Ushtria Izraelite kishte thënë më parë, se pastroi nga militantët e Hamasit, një pjesë të mirë të Rripit të Gazës, kjo nuk ka ndodhur. Forcat vazhduan luftimet edhe aty, pasi Hamasi, grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e ka shfrytëzuar mungesën e sigurisë në ato pjesë të enklavës për t’i rigrupuar forcat e veta.

Izraeli ka thënë se qyteti Rafah i Gazës është bastioni i fundit i Hamasit, dhe ngul këmbë se i duhet ta pushtojë atë patjetër për ta arritur qëllimin e vet për shfarosjen e këtij grupi dhe për kthimin e pengjeve. Një ofensivë e kufizuar në Rafah është zgjeruar në ditët e fundit dhe si pasojë rreth 300.000 palestinezë janë detyruar të ikin nga qyteti.

Megjithatë, pjesët e tjera të rrënuara nga lufta në Gazë duket se po i ofrojnë Hamasit mundësi të mjaftueshme për t’u rigrupuar. Palestinezët raportuan për bombardime të mëdha izraelite gjatë natës së fundit në kampin e refugjatëve Xhabalia dhe në zonat e tjera në veri të Rripit të Gazës, i cili ka pësuar dëme të jashtëzakonshme dhe është mbajtur i izoluar nga forcat izraelite për muaj të tërë.

 Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se në veri të enklavës ka “urie absolute”. Banorët thanë se avionë luftarakë të Izraelit kryen sulme në kamp dhe në zonën Zeitoun në lindje të Qytetit Gaza, ku trupat izraelite janë duke luftuar kundër pjesëtarëve të Hamasit tash e disa javë.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?