Izraeli dhe Hamasi janë dakordësuar dhe kanë nënshkruar për fazën e parë të planit të paqes në Rripin e Gazës. Donald Trump, i cili bëri njoftimin përmes një postimi në Truth Social, thekson se shumë shpejt do të dorëzohen pengjet izraelite dhe se IDF do të tërheqë të gjithë trupat në një vijë të rënë dakord.
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë! Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Pashembullt. TË BEKUAR QOFSHIN PAQËBËRËSIT!”, ka shkruar Trump.
IDF do të tërhiqet nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës (duke mbetur vetëm në Rafah) brenda 24 orëve të ardhshme. Sipas Hamasit, në këmbim të pengjeve, do të lirohen 2 mijë të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael dhe shkëmbimi do të bëhet brenda 72 orëve nga zbatimi i marrëveshjes së arritur.
Familjarët e pengjeve kanë shprehur falenderime për Trump, ndërsa në rrugët e Gazës, palestinezët kanë dalë duke festuar.
Në një intervistë për Fox Neës, Trump deklaroi se të gjithë pengjet mund të dorëzohen të hënën. Ai ka zhvilluar edhe një telefonatë me Benjamin Netanyahin dhe pritet që të udhëtojë javën e ardhshme në Izrael, ku mund të flasë edhe në Knesset. Qeveria izraelite do të mblidhet sot për të miratuar marrëveshjen.
Dhe nëse miratohet, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi. Megjithatë, ende mungon një marrëveshje për çarmatimin e Hamasit: negociatat duhet të vazhdojnë.
Lajm në përditësim…
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë filluar përgatitjet për një tërheqje të pjesshme të trupave nga Rripi i Gazës, në kuadër të marrëveshjes për armëpushim me Hamasin. Lajmin e raporton Times of Israel. Në një deklaratë, ushtria thotë se “sipas udhëzimeve nga niveli politik dhe në përputhje me një vlerësim të situatës, IDF ka nisur përgatitjet operacionale për zbatimin e marrëveshjes.” Si pjesë e këtyre përgatitjeve, ushtria shprehet se është gati të zhvendosë trupat në “vija të reja vendosjeje në të ardhmen e afërt”. “IDF vazhdon të jetë e pranishme në zonë dhe po përgatitet për çdo zhvillim operacional,” shton ushtria. Në një komunikatë të mëparshme, IDF paralajmëroi se veriu i Rripit të Gazës mbetet aktualisht një zonë lufte. “Sipas planit të përgatitjes për zbatimin e marrëveshjes, vijat e vendosjes (brenda Rripit të Gazës) do të ndryshojnë me shpejtësi,” thuhet në një tjetër deklaratë ushtarake. Sot pritet të mbahet një mbledhje e kabinetit të qeverisë izraelite, për të shqyrtuar dhe miratuar marrëveshjen.
Marrëveshja për fazën e parë të armëpushimit pritet të miratohet dhe pas kësaj do të nisë numërimi mbrapsht për kthimin e pengjeve izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë, tërheqjen e ushtrisë izraelite (IDF) dhe, ndoshta, për të filluar të imagjinohet e ardhmja e një territori (Rripi i Gazës) ku në dy vite kanë vdekur 67 mijë persona, janë plagosur 168 mijë, dhe dy milionë njerëz kanë humbur shtëpitë, shkollat, shpresat, ëndrrat.
Kohët e marrëveshjes: 24 orë për tërheqje, pastaj 72 për pengjet
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë CNN-it se “pasi të votohet marrëveshja, Izraeli do të duhet të tërhiqet në vijën e rënë dakord, çka pritet të zgjasë më pak se 24 orë.” Pasi Izraeli të jetë larguar, do të nisë afati 72-orësh për lirimin e pengjeve izraelite. Të gjallët do të kthehen në shtëpi nga e diela deri të hënën; më pas do të kthehen trupat e të vdekurve dhe vetëm pas kësaj do të fillojë lirimi i të burgosurve palestinezë.
Pengjet: Si do të funksionojë lirimi
Të parët që do të dalin – të shoqëruar nga punonjës të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq – do të jenë 20 izraelitët e gjallë. Më pas do të fillojnë operacionet për kthimin e trupave të atyre që u vranë më 7 tetor ose që kanë vdekur në robëri. Sipas CNN-it, Hamasi nuk është në gjendje të gjejë rreth dhjetë trupa, që ndodhen nën rrënoja ose në zona të shkatërruara nga bombardimet. Ky është një detaj për të cilin do të punohet më tej, por që nuk e vë në rrezik marrëveshjen, pasi është tashmë i njohur për Izraelin.
Të burgosurit palestinezë – çështja Barghouti
Sipas BBC-së, Izraeli ka refuzuar lirimin e Marwan Barghoutit, pavarësisht këmbënguljes së Hamasit për ta përfshirë në marrëveshje. Emra të tjerë për të cilët nuk ka marrëveshje janë: Abdullah Barghouti, Ahmed Saadat, Hassan Salama, Abbas al-Sayyed – persona që Izraeli i konsideron si truri i sulmeve që tronditën vendin në fillim të viteve 2000.
Do të lirohen 250 të dënuar me burgim të përjetshëm nga 285 gjithsej, dhe 1,700 persona të arrestuar në Gaza gjatë këtyre dy viteve.
Hamasi ka kërkuar që në këtë grup të përfshihen edhe disa nga luftëtarët e brigadave elitë Al Nukba, por Izraeli nuk pranon: këta janë personat që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023.
Ndihmat për popullsinë e Gazës
Do të hyjnë menjëherë: 400 kamionë në ditë në fazën e parë, me rritje progresive. Do të duhet të qartësohet se çfarë do të lejohet të hyjë: ka nevojë për eskavatorë, tenda, ndërtesa të përkohshme (prefabrikat), përveç ushqimeve dhe ilaçeve.
Tërheqja e IDF nga Gaza – përjashto Rafahun
Ushtria izraelite (IDF) pritet të largohet nga “shumica” e territorit të Rripit të Gazës, por do të ruajë praninë e saj në Rafah, zona kufitare me Egjiptin, që për vite ka qenë një pikë e nxehtë për kontrabandën e armëve dhe materialeve të ndaluara, sipas Izraelit. Por mbeten ende shumë detaje për t’u sqaruar në këtë pikë. Operacioni është gati prej ditësh dhe nuk pritet të zgjasë më shumë se 24 orë.
Hamasi dhe çarmatimi
Hamasi është zotuar të dorëzojë armët, por jo të largohet nga procesi politik.
Për të garantuar këtë pikë, janë përfshirë vende arabe: Katar dhe Turqia në radhë të parë, të cilat janë thirrur të mbikëqyrin një nga çështjet më delikate të javëve në vijim.
Roli i Shteteve të Bashkuara
Donald Trump mund të mbërrijë në Izrael brenda orëve në vijim: Netanyahu e ka ftuar të flasë në Knesset (parlamentin izraelit), një lëvizje që synon edhe të qetësojë tensionet me krahun më të djathtë të qeverisë së tij, i cili është kundër kësaj marrëveshjeje.
E ardhmja e Gazës dhe pasiguritë
E ardhmja mbetet plot me pikëpyetje:
- Kush do të qeverisë Gazën?
- Si do të funksionojë organizmi ndërkombëtar i drejtuar nga Donald Trump dhe Tony Blair?
- Kush do të përfaqësojë palestinezët?
- A do të arrijnë vërtet vendet arabe të garantojnë çarmatimin e Hamasit?
- A do të sigurojë Trump që Izraeli të mos e anulojë marrëveshjen pasi të kthehen pengjet, siç ka ndodhur në të kaluarën?
Të gjitha janë ende pyetje pa përgjigje.
//La Repubblica
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas ka përshëndetur arritjen e dakordësisë për fazën e parë të planit të paqes në Gaza. Ajo e cilëson si një hap të madh drejt dhënies fund të luftës në enklavë.
"Marrëveshja për fazën e parë të marrëveshjes së paqes në Gaza shënon një hap të madh përpara. Ky është një arritje e madhe diplomatike dhe një mundësi reale për t'i dhënë fund një lufte shkatërruese dhe për të liruar të gjithë pengjet. BE-ja do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbështetur zbatimin e saj", tha Kallas.
Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar përgatitjet dhe ka vendosur një protokoll për t'u tërhequr së shpejti në vijën e fazës së parë të tërheqjes nga Gaza. "Ushtria ka filluar përgatitjet operative për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit", thuhet në një deklaratë.
"Si pjesë e këtij procesi, përgatitjet dhe një protokoll luftimi janë duke u zhvilluar për të arritur shpejt në linjat e rishikuara të vendosjes."
Propozimi i armëpushimit i Presidentit të SHBA-së Donald Trump përcakton që ushtria izraelite duhet të bëjë një tërheqje fillestare nga Gaza në "vijën e verdhë", afërsisht 1.5 kilometra në pikën e saj më të ngushtë dhe 6.5 kilometra në pikën e saj më të gjerë nga vija e demarkacionit midis Gazës dhe Izraelit. Tërheqja duhet të ndodhë para të hënës, ditës kur Trump njoftoi se milicitë e Hamasit do të dorëzojnë 48 pengjet, të vdekur dhe të gjallë, ende në duart e tyre.
Sipas gazetës Haaretz, kjo fazë e parë e tërheqjes do të sigurojë vendndodhjen e pengjeve të mbajtura nga krahu i saj i armatosur, Brigadat Ezzedine Al Qassam, si dhe nga grupe të tjera, siç është Xhihadi Islamik. Orari për fazat e tjera të tërheqjes së trupave izraelite nuk është njoftuar ende. Pasi të arrijnë "vijën e verdhë", ata do të mbeten të pranishëm në afërsisht gjysmën e enklavës (deri më tani, ata kontrollonin mbi 80%).
Në një intervistë me Fox News, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Hamasi mund të fillojë dorëzimin e pengjeve që të hënën.
"Kjo ka të bëjë me më shumë sesa Gazën, kjo ka të bëjë me paqen në Lindjen e Mesme”, tha Trump në një intervistë telefonike.
Ai tha gjithashtu se Gaza do të jetë një "vend paqësor dhe shumë më i sigurt në të ardhmen dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për të siguruar sigurinë dhe prosperitetin e saj."
Vende të tjera në rajon do të kontribuojnë në rindërtim sepse kanë pasuri të jashtëzakonshme", tha Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë "për t'i ndihmuar ata të kenë sukses dhe të ruajnë paqen".
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka përshëndetur dakordësinë e arritur mes Hamasit dhe Izraelit për fazën e parë të planit të paqes në Gaza. Në një deklaratë për shtyp, Starmer thotë se marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa dhe të shoqërohet gjithashtu edhe me heqjen e kufizimeve për ndihmat humanitare.
“Jam mirënjohës për përpjekjet e palodhura diplomatike të Egjiptit, Katarit, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, të mbështetura nga partnerët tanë rajonalë, në sigurimin e këtij hapi të parë vendimtar. Kjo marrëveshje tani duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesë, dhe të shoqërohet me heqjen e menjëhershme të të gjitha kufizimeve për ndihmën humanitare që shpëton jetë në Gaza.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet që kanë marrë, të përfundojnë luftën dhe të ndërtojnë themelet për një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit dhe një rrugë të qëndrueshme drejt një paqeje afatgjatë. Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë këto hapa të menjëhershëm vendimtarë dhe fazën tjetër të bisedimeve për të siguruar zbatimin e plotë të planit të paqes.", ka thënë ai.
Komente

Paq ne lindjen e mesme ka pase gjithmone para krijimit te shtetit terrorist ne 1948. Per te pasur paqe pergjithmone duhet shkaterrimi i ketij shteti. Emigrantet te kthehen ne Poloni, Gjermani Rusi aty ku i kan lindur prinderit e gjyshat
Përgjigju