Delegacionet e Izraelit dhe Hamasit pritet të rifillojnë negociatat indirekte në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen për armëpushimin në Rripin e Gazës dhe kthimin e pengjeve.
Corriere della Sera thotë se sipas një burimi pranë negociatave, ekipi i Hamasit i drejtuar nga Khalil al-Hayya u largua nga Kajro për në Doha të dielën.
Mbrëmë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu "udhëzoi ekipin negociator që të përgatitej" për t'u nisur për bisedime të mëtejshme. Diskutimi do të përqendrohet në propozimin e të dërguarit amerikan Steve Witkoff, i cili parashikon "kthimin e menjëhershëm të njëmbëdhjetë pengjeve të gjallë dhe gjysmës së pengjeve të vdekur", sqaroi zyra e kryeministrit izraelit.
Netanyahu refuzoi sërish ofertën e Hamasit për të liruar një peng izraelito-amerikan, Edan Alexander, dhe për të kthyer trupat e katër izraelito-amerikanëve të tjerë në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Por ajo që është më përçarëse është respektimi në të gjitha pjesët e marrëveshjes së armëpushimit të arritur në mes të janarit. Marrëveshja është e ndarë në tre faza, e para teknikisht përfundoi në fund të shkurtit me lirimin e të gjithë pengjeve të rënë dakord.
E dyta duhet të kishte ndodhur në fillim të marsit, që përfshin largimin e trupave izraelite nga Gaza. Hamasi po kërkon që kjo marrëveshje të respektohet dhe të kalohet në fazën e dytë.
Në vend të kësaj, Izraeli kërkon, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, që faza e parë të zgjatet deri në mes të prillit, që Gaza të çmilitarizohet dhe Hamasi të heqë dorë nga pushteti.
Komente
