Bisedimet midis arabëve dhe izraelitëve më 5 korrik 1948

Bota

Izraeli dhe Palestina, luftëra dhe iluzione! Ja si u zbeh ideja e dy shteteve

22 Gusht, 07:40| Përditesimi: 22 Gusht, 07:56

  • Share

Historia e palestinezëve është e mbushur me dhunë, keqkuptime dhe raste të humbura. Prej më shumë se një shekulli projekti izraelit u gërryen të drejtat, dhe prej të paktën 80 vitesh palestinezët nuk janë treguar të aftë as ta ndalin zgjerimin e shtetit hebre e as të bashkëjetojnë në paqe me të.

Dallimi midis projektit për një shtet hebre dhe atij palestinez është se i pari ka qenë gjithmonë i qartë. Madje ekziston edhe një emër që identifikon idenë: sionizmi. I dyti, përkundrazi, u formua ngadalë, ndryshoi objektiva dhe metoda, duke munguar në vizion dhe udhëheqje. Palestinezët provuan të ndërtonin një shtet të vetin me terrorizëm, por edhe me negociata, duke u mbështetur te ish-Bashkimi Sovjetik dhe te armiku amerikan, me gurët e Intifadës dhe të drejtën ndërkombëtare, me deltaplanët vrasës të 7 tetorit dhe rezistencën jo të dhunshme të fshatarëve të Bregut Perëndimor. Në çdo hap doli gjithmonë më keq. Deri më sot. Përpjekja e Hamasit për të thyer një ekuilibër të padrejtë rrezikon të ketë si efekt fshirjen e ëndrrës (dhe të drejtës) së palestinezëve për të pasur një atdhe.

Origjinat

Në vitin 1917 ministri britanik Balfour i premtoi miliarderit dhe sionistit Lord Rothschild një "shtëpi kombëtare për popullin hebre" në Palestinë. Kur, në vitin 1947, OKB vendosi të ndajë Palestinën në dy shtete, një hebre dhe një arab, palestinezët nuk ishin gati. Duke ndjekur projektin sionist, emigrantët hebrenj kishin ngritur institucione funksionale, ndërsa banorët arabë të zonës jo. Shpesh palestinezëve u është vënë në dukje se refuzuan shtetin që u ofroi OKB-ja, por në atë kohë nuk ekzistonte diçka që t’i përfaqësonte. Për ta iu përgjigjën Jordania dhe Egjipti, të cilat nisën një luftë kundër Izraelit dhe pushtuan përkatësisht Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Identiteti kombëtar

Me shtytjen e Ligës Arabe, në vitin 1964 lind Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Sipas statutit, objektivat janë çlirimi i Palestinës, mohimi i "shtetit sionist" dhe, si metodë, lufta e armatosur. Në vend që të flitej për "arabë të Palestinës", tashmë flitet për palestinezë. Në vitin 1967, Egjipti, Jordania dhe Siria përballen për herë të fundit me Izraelin. Pas humbjes së tyre, vetëm OÇP përfaqësoi interesat palestineze dhe mori financime nga i gjithë bota arabe. U bë "organizata terroriste më e pasur në botë", por që nga viti 1988 ndryshon linjë. Fillimisht miratoi Rezolutat e OKB-së për dy shtete (izraelit dhe palestinez), më pas në vitin 1993 njohu me një letër zyrtare "të drejtën e shtetit të Izraelit për ekzistencë paqësore dhe të sigurt". Statuti, megjithatë, nuk u përditësua.

Rastet e humbura

Marrëveshjet e Oslos të 1993 dhe 1995 i japin më në fund jetë një embrioni të administratës civile palestineze, atë që sionistët e kishin organizuar gjysmë shekulli më parë. Në vitin 2012 Palestina u njoh si "shtet vëzhgues" në OKB. Rezolutat e Kombeve të Bashkuara që bënin thirrje për zgjidhjen e "dy shteteve" nuk kanë të numëruar, por nuk kanë arritur të materializohen. Një shkollë mendimi akuzon të djathtën sioniste të Izraelit për sabotimin e lindjes së Palestinës. Prova për këtë është vrasja e kryeministrit Yitzhak Rabin që dëshironte paqen dhe mbështetja e dhënë Hamasit kundër OÇP-së. Një tjetër rrymë interpretimi akuzon OÇP-në për shmangien e firmës përfundimtare, me shpresën për të fshirë Izraelin ose nga frika se kishte negociuar marrëveshje tepër të dëmshme.

Dyfishimi i udhëheqjes

Me Marrëveshjet e Oslos palestinezëve njohën Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës, por Izraeli e rezervoi për vete kontrollin ushtarak të 83% të Bregut Perëndimor dhe atë të taksave, energjisë, ujit, lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Për më tepër, që nga viti 1967 Izraeli favorizon vendbanime hebrenjsh në zonat palestineze (të ashtuquajturat "koloni"). E gjithë kjo nxiti lindjen e Hamasit, në kundërshtim me vijën tashmë paqësore të vendosur nga OÇP. U rikthye lufta e armatosur. Kulmi ishte sulmi i 7 tetorit. Edhe një herë, Izraeli, i sulmuar, e shfrytëzoi. Pas shkatërrimit të Gazës, tani përpiqet të ndajë Bregun Perëndimor me koloninë e re gjigante. Janë hallkat e fundit të një zinxhiri./Corriere della sera 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?