Pezullimi i përkohshëm i vizave studentore nga administrata Trump ka shkaktuar tronditje dhe pasiguri tek mijëra studentë nga e gjithë bota. Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar ambasadat të ndalojnë përkohësisht intervistat për vizat studentore, ndërsa planifikon të zgjerojë kontrollin e rrjeteve sociale për aplikantët.
Adefemola Akintade, një gazetare nga Nigeria, e pranuar për master në Columbia University, u shpreh se ishte e shokuar nga lajmi.
“Nuk kam një plan rezervë. Kam vënë gjithçka në këtë mundësi,” tha ajo, duke shtuar se tashmë kishte paguar tarifën e regjistrimit dhe pritej të niste studimet në gusht.
Shumë studentë, të pranuar në universitete si Harvard dhe Johns Hopkins, u shprehën të frikësuar dhe të pasigurt për të ardhmen e tyre akademike. Disa thanë se kanë nisur të fshijnë apo ndryshojnë postimet e tyre në rrjetet sociale, nga frika se mund të interpretohen si të papërshtatshme dhe të ndikojnë në procesin e vizës. Një studente kanadeze, e pranuar në Harvard, tha se ndryshoi një postim ku kishte përdorur një flamur trans, nga frika e keqkuptimeve.
Conrad Kunadu, student britanik që kishte fituar një vend për doktoraturë në SHBA, vendosi të heqë dorë nga oferta dhe të studiojë në Universitetin e Oksfordit, pasi nuk ndihej i sigurt. “Kam frikë se diçka që kam shkruar vite më parë mund të më deportojë,” tha ai. Ai theksoi se SHBA është qendra për kërkime në fushën e sigurisë shëndetësore, dhe se largimi është një humbje e madhe për të dhe për shkencën, raportohet në media.
Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se studentët që nuk kanë marrë ende vizën kanë shumë pak mundësi ligjore për të kundërshtuar vendimin. Michael Kagan, drejtor i Klinikës së Emigracionit në Universitetin e Nevadës, e cilësoi pezullimin si pjesë të një sërë sulmesh ndaj arsimit të lartë dhe emigrantëve nga administrata Trump, që po ndodh në një kohë pa ndonjë emergjencë të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, shumë studentë ndihen të zhgënjyer dhe të refuzuar nga një vend që e kanë parë gjithmonë si simbol i mundësive akademike dhe lirisë. “Mesazhi që po marr është i qartë: nuk na doni aty,” tha Akintade me trishtim.
Në vitin akademik 2023–2024, mbi 1.1 milion studentë ndërkombëtarë studiuan në universitetet amerikane. Tashmë, shumë prej tyre po rishqyrtojnë planet e tyre, duke pritur me shpresë që situata të ndryshojë ose që vendimi të zbutet.
Komente
